E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata “kryqëzon” kryepolicin e Rrugores



Laureta Rryçi
Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës pezulloi dje nga detyra shefin e Komisariatit të Qarkullimit Rrugor në kryeqytet, Krenar Ahmeti. Vendimi vjen vetëm një ditë pasi Prokuroria e Tiranës dorëzoi dje kërkesën në gjykatë për pezullimin e tij nga detyra pas denoncimit të dy shtetasve për arbitraritet gjatë ushtrimit të detyrës. Shkak është bërë kallëzimi penal i prokurores Elizabeta Bajri dhe bashkëshortit të saj avokat, të cilët e akuzojnë Ahmetin për veprime arbitrare ndaj tyre.
Vendimi
Gjyqtares së Gjykatës së Tiranës, Majlinda Doga, i janë dashur tri orë për të vendosur për kërkesën e Prokurorisë mbi një drejtues policie. Në seancë ishin të pranishëm prokurori Ervin Karanxha, komisari Krenar Ahmeti, avokati Agron Gurabardhi dhe një jurist i Ministrisë së Brendshme. Fillimisht gjyqtarja është njohur me akuzën dhe provat që kishte Prokuroria për ta pezulluar përkohësisht shefin e Rrugores. Sipas prokurorit, ndaj Ahmetit nuk ishte vetëm rasti i prokurores, por edhe i një qytetari tjetër. Ndërkohë akuzat janë mohuar nga Ahmeti, duke u shprehur se që ditën kur ka marrë detyrën e deri dje ai vetëm ka zbatuar ligjin dhe rregullat e Kodit Rrugor. Gjyqtarja Doga, pasi i dëgjoi të dyja palët, u tërhoq në zyrën e saj për tri orë me radhë, duke marrë vendimin për ta pezulluar deri në përfundim të gjykimit të çështjes shefin e Rrugores, Krenar Ahmeti. Gjyqtarja nuk e argumentoi vendimin e saj se përse kishte arritur në këtë përfundim, por u shpreh se Ahmeti brenda dhjetë ditësh kishte të drejtë ta apelonte këtë vendim në Gjykatën e Apelit, apo edhe në Gjykatën e Lartë.
Ngjarja
Prokuroria e Tiranës prej dy javësh kryente verifikimet e kallëzimit penal të kryer ndaj komisar Ahmetit. Ngjarja për të cilën akuzohet ndodhi më 17 maj në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë Kullave Binjake. Prokurorja Elizabeta dhe bashkëshorti i saj, Agron Bajri, pretendojnë se janë shoqëruar me forcë në Komisariatin numër 2 të Policisë së Tiranës, ku janë mbajtur të paktën 3 orë. Pas incidentit, të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën. Prokurorja pretendoi se automjeti ku ndodhej dhe që drejtohej nga i vëllai ishte ndaluar në mënyrë arbitrare dhe pa asnjë shkak. Punonjësi i Policisë së Qarkullimit Rrugor, i cili kishte kryer ndalimin e mjetit, sipas pretendimit të saj kishte kryer veprime që shkelnin etikën. Në vendin ku prokurorja debatonte me policët, më pas ka shkuar bashkëshorti i saj.

10 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›