Tiranë bllokohen 17 makina
TIRANE - Policia Rrugore e Tiranës ka bllokuar 17 makina gjatë ditës së hënë dhe të martë, të cilat dyshohet se janë të vjedhura në vendet e Bashkimit Evropian. Verifikimet e automjeteve do të vazhdojnë gjatë gjithë javës dhe sipas burimeve nga policia bëhet e ditur se shifrat mund të vijnë në rritje, pasi disa makina tashmë janë të piketuara dhe pritet vetëm momenti kur ato të dalin në qarkullim. Kontrollet në kryeqytet janë në vazhdim të operacionit të përbashkët të disa strukturave të veçanta të policisë shqiptare për bllokimin e makinave të vjedhura, që ka nisur fillimisht në pikat e kalimit kufitar për të zbuluar formën e mashtrimit të trafikimit të makinave të blera me kredi, makinave të marra me qira, mashtrimit me siguracione, etj. Vetëm disa ditë më parë, strukturat e policisë në të gjithë vendin bllokuan 47 automjete, të cilat pas verifikimeve rezultuan të vjedhura.