Gratë e burgosura hapin ekspozitë me piktura
TIRANE - Gra të burgosura, të cilat vuajnë dënimet në Burgun 325 në kryeqytet, hapën dje një ekspozitë pikture me punime të realizuara në qeli. Rreth 50 piktura dhe veshje të ndryshme u ekspozuan paraditen e djeshme në njërën nga sallat e Muzeut Kombëtar, ndërsa në ceremoni merrnin pjesë nëndrejtori i Burgjeve, Lulzim Kodra dhe drejtoresha e këtij burgu, Irena Çela. Ndërsa tri gra të burgosura prezantuan punimet e tyre dhe shoqeve të dënuara. Numri dy i Burgjeve, Lulzim Kodra, në fjalën përshëndetëse duke vlerësuar si shumë të rëndësishme organizimin e këtyre aktiviteteve, tha se projekte të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Kodra përmendi si një projekt mjaft të rëndësishëm atë të implementimit të punësimit të të burgosurve, duke shtuar se ky projekt, por edhe të tjerë synojnë të ndihmojnë të dënuarit për riintegrimin e tyre në shoqëri. Drejtoresha e IEVP-së "Ali Demi" në fjalën e saj e cilësoi ekspozitën e punimeve artistike të grave të dënuara si një program që ndihmon gratë e dënuara, që i lehtëson periudhën e kryerjes së dënimit, sikundër i ndihmon ato për riintegrimin në shoqëri pasi të kenë përfunduar dënimin. f.m.