E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria nis këtë javë eksportin e energjisë elektrike me Greqinë

20/01/2009  Kontratat e blerjeve për janar-mars rreth 31 milionë euro dhe 3,7 miliardë lekë

Korporata Elektroenergjetike do të eksportojë energji në Greqi, për rreth një muaj e gjysmë. Lajmin e ka bërë të ditur për mediet, drejtori i Divizionit të Prodhimit, Muharrem Stojku. Sipas tij, shitja e energjisë elektrike do të nisë që prej kësaj jave dhe do të realizohet nëpërmjet bashkëpunimit me kompanisë shtetërore greke. Sipas Stojkut, në vendin fqinj do të eksportohen rreth 2 milionë kilovat orë në ditë energji. Sipas burimeve, energjia do të shitet me çmimin që është në bursën e Athinës, duke zbritur nivelin e humbjeve në rrjetin e transmetimit. Kjo situatë është favorizuar nga përmirësimi i ndjeshëm i rezervave hidrike, për shkak të reshjeve të bollshme. Ndërkaq, importi i energjisë vazhdon, pasi kontratat janë lidhur më parë me kompanitë fituese në tenderat e fundvitit. Sasia e energjisë që nevojitet për plotësimin e kërkesave në vend është siguruar deri në muajin mars. Kontrata për blerjen e energjisë elektrike për periudhën “01 janar 2009 – 31 mars 2009” është lidhur më 31 dhjetor për dy lote me një vlerë prej 1 milion euro dhe 135 milionë lekë pa TVSH-në me kompaninë “ATEL” në Zvicër. Ndërsa në të njëjtën datë është lidhur edhe kontrata e blerjes së energjisë me kompaninë “EFT”, me një vlerë prej rreth 30 milionë euro dhe 3,6 miliardë lekë pa TVSH. Situata e mirë hidrike, sipas burimeve të KESH-it, ka mundësuar një nivel të lartë të prodhimit të energjisë, që ka arritur në 16 milionë kilovat orë në ditë. Ndërkohë që 5 milionë kilovat orë të tjerë importohen.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›