E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendet e Europës Lindore, në rresht për ndihmë nga FMN-ja

Financial Times komenton zhvillimet në ekonomitë e rajonit. Skemat sesi mund të shpëtohen degët e bankave të huaja

Analiza më e fundit e FMN-së zbulon se me sa punë do të duhet të përballet G 20 në një nga rajonet kyçe; atë të Europës Qendrore dhe Lindore. Analiza, e cila mbulon shtete të tilla si Turqinë edhe shtetet ish-komuniste, parashikon një rënie prej 2.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto gjatë këtij viti, kundrejt rritjes 4.25%, të parashikuar në vjeshtën e kaluar.

“Kriza financiare po shton presione të tjera në problemet që edhe më parë ekzistonin në vendet europiane në zhvillim. Humbjet nga kreditë të degëve të huaja të bankave të Europës Perëndimore po kërcënojnë nisjen e një cikli vicioz në rënie. Monedhat rajonale kanë qenë nën presion dhe tensionet po rriten.
Ka diferenca të mëdha në mënyrën se si shtetet individuale janë të pozicionuara për t’u përballur me krizën. Ata vënë përballë, në kontrast, vende si; Polonia, Republika Çeke dhe të tjerë që “nuk përballen me nevoja urgjente për fondet”, por mund të kenë nevojë për likuiditete në të ardhmen; me shtete të tjera brenda dhe jashtë Bashkimit Europian, të cilët janë tashmë në programet e FMN-së; si, Hungaria, Letonia dhe Ukrania, si dhe vende me programe të finalizuara; si, për shembull, Rumania.

Raporti thekson se shtetet e vjetra të BE-së nuk mund të jenë imune, duke thënë: “Një strategji pro-aktive do të ishte e nevojshme për të adresuar problemet në vendet e përparuara të BE-së, që mund të ndikoheshin nga trazirat financiare si rrjedhojë e një krize në Europën në zhvillim.”
FMN thekson dobësinë e shteteve me një pjesë të madhe të huase vendase në monedhë të huaj, – që kryesohen nga Estonia, Letonia dhe Serbia.

“Bankat rajonale, të cilat janë, në pjesën më të madhe, degë të grupeve të bankave të Europës Perëendimore, mund të përballen me probleme që mund të arrijnë deri në 20% të totalit të huave”, - vlerësojnë autorët e raportit, megjithëse kjo duhet marrë me rezerva. Bankat e Europës Perëndimore, me ekspozim rajonal prej 1,600 miliardë dollarë, mund të shohin humbje prej 160 miliardë dollarë. Ato mund të kenë nevojë për 100 miliardë dollarë në kapital të ri, – ose 300 miliardë dollarë në një krizë më të madhe rajonale”. “Se ku do të bjerë kjo barrë dhe se si do të ndahet midis vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim, - kjo është një çështje e hapur dhe kritike.”

Raporti bën thirrje për veprime mbarë-europiane, duke përfshirë Bashkimin Europian, dhe Bankën Qendrore Europiane, edhe pse Brukseli dhe BQE kanë shprehur dyshime dhe po ndjekin një përqasje sipas vendeve.
Sipas raportit, “një krizë më e madhe mund të nisë nëse bie një nga kurset e varura të këmbimit, të cilat, duken tepër të paqendrueshme”, - duke iu referuar regjimeve fikse të kurseve të këmbimit në disa vende si shtetet baltike.
Një përgjigje e gjerë rajonale duhet të përfshijë mbështetjen me likuiditet afatshkurtër, stabilizimin makroekonomik, rikapitalizimin e bankave me mbështetje të autoriteteve europiane, ristrukturimin e bankave në Europën Lindore dhe ristrukturimin e borxhit.
Por, me përkeqësimin çdo ditë të situatës ekonomike, përqasja rajonale e FMN-së mund të duhet të rishikohet. Tashmë, Letonia, Hungaria dhe Ukraina, tre përfituesit më të mëdhenj në rajon nga financimet shpëtuese të FMN-së, po luftojnë që të zbatojnë paketat e tyre antikrizë. Të tjerë po rreshtohen për ndihmë, veçanërisht Rumania. Do të jetë vetëm çështje kohe derisa pjesa më e madhe e shteteve të Europës Qendrore dhe Lindore do të jenë në programet e FMN-së.

Marrë nga Financial Times.

21 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›