SHBA, metodat e CIA-s më torturuese nga sa deklarohej
Hetuesit e CIA-s e kanë përdorur metodën e “mbytjes në ujë” të paktën 266 herë në dy të dyshuar kryesorë të Al Kaedës, gjatë drejtimit nga Departamenti i Drejtësisë i administrimit të presidentit Bush. Dokumenti që vërteton të dhënat u lëshua dje nga administrata Obama. Khalid Sheikh Mohammed, është zhytur me metodën e CIA-s 183 herë brenda një muaji. Teknika e debatueshme që stimulon mbytjen, të cilën presidenti Barak Obama e ka quajtur torturë, është përdorur të paktën 83 herë në gusht 2002 tek një i dyshuar tjetër si lider i Al Kaedës, Abu Zubaydah. Mohammed besohet se është organizuesi i sulmeve të 11 shtatorit 2001 mbi kullat binjake në Shtetet e Bashkuara. Të gjitha të dhënat e raporteve të kërkuara nga Obama tregojnë fakte të tjera nga sa kishin pranuar në intervista televizive drejtues të CIA-s. Në një intervistë për “Fox News Sunday”, Michael Hayden, i cii ka drejtuar CIA-n nga viti 2006 në 2009, nuk ka pranuar të komentojë mbi numrin e herëve që ishte zhytur me këtë metodë torturuese Mohammed. Për shkak të qëndrimit të tij mbi metodat e CIA-s dhe Guantanamon, Hayden e ka akuzuar presidentin Obama se po rrezikon Shtetet e Bashkuara me politikën e tij tolerante ndaj terroristëve.