Ahmadinexhad akuza Izraelit, perëndimorët braktisin sallën
Konferenca e Kombeve të Bashkuara mbi racizmin ka nisur me polemika të forta mes Presidentit të Iranit, Mahmud Ahmadinexhad dhe liderëve perëndimorë. Bashkimi Evropian braktisi konferencën “Durban II” për shkak se Ahmadinexhad përdori termin “manifestimi më i tmerrshëm i racizmit” për Izraelin, duke nxitur kështu largimin e diplomatëve perëndimorë nga konferenca e Kombeve të Bashkuara. Gjatë fjalimit të tij në Gjenevë, Ahmadinexhad akuzoi Shtetet e Bashkuara, Evropën dhe Izraelin. “Pas Luftës së Dytë Botërore, duke u justifikuar se Hebrenjtë ishin viktimizuar dhe abuzuar gjatë Holokaustit, ata bënë që një popull i pastrehë, të cilin e transferuan nga Evropa, Shtetet e Bashkuara dhe nga vendet tjera, të krijojë qeverinë raciste në territoret e pushtuara palestineze”, tha Ahmadinexhad. Gjatë fjalimit një protestues, duke bërtitur “racist, racist”, hodhi në drejtim të Ahmadinexhadit një objekt të butë, që ra në podium dhe e ndërpreu fjalimin. Shtetet e Bashkuara, Australia, Kanadaja, Gjermania, Izraeli, Holanda dhe Zelanda e Re e kanë bojkotuar takimin një javor. Për shkak të pjesëmarrjes së presidentit të Iranit, Izraeli e ka tërhequr ambasadorin e vet nga Zvicra. Konferenca në Gjenevë është vazhdim i samitit në Afrikën e Jugut të vitit 2001, të cilën SHBA-të dhe Izraeli e braktisën sepse shtetet arabe u përpoqën ta definojnë sionizmin si racist. Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, shprehu keqardhjen që Shtetet e Bashkuara dhe disa vende perëndimore kanë vendosur ta bojkotojnë konferencën. “Bota duhet të mblidhet kundër jo-tolerancës, që është në rritje si pasojë e krizës ekonomike. Vjen një kohë kur duhet ta riafirmojmë besimin tonë në të drejtat e njeriut, dinjitetin dhe vlerën e të gjithë neve, një kohë kur duhet të vlerësohen virtytet e tolerancës dhe respekti për të ndryshmen, një kohë kur e kaluara që na ndan, të lihet pas dhe shikimi të hidhet nga e ardhmja që na bashkon”, tha Ban Ki-Moon. Shtetet e Bashkuara njoftuan se do ta bojkotojnë takimin një javor, për shkak të shqetësimeve se vendet islamike do të fokusohen në dënimin e Izraelit. Australia, Kanadaja, Gjermania, Izraeli, Holanda dhe Zelanda e Re vendosën të mos marrin pjesë.