E Diel, 1 Nëntor 2026

Korridori 8, udha e hekurt me Maqedoninë na kushton 6 milionë euro

Shqipëria duhet të ndërtojë 2.8 km trase deri në kufi. Kjo do të jetë dhe dalja hekurudhore e Korridorit 8

Ervin KOÇI

Shqipëria do të ketë shumë shpejt edhe daljen e dytë ndërkombëtare hekurudhore por kësaj here në linjën e Korridorit 8. Pala shqiptare e ka lehtësisht të mundur përfundimin e projektit për të lidhur vendin tonë me fqinjin maqedonas përmes linjës që do të bëhet rishtazi Lin-kufiri me Maqedoninë. Në ndryshim me detyrimet si dhe nevojën e investimeve që lipsen për palën maqedonase, gjatësia nga Lini deri në kufi me Maqedoninë është shumë e vogël. Ajo shtrihet në vetëm 2.8 km trase hekurudhore deri në kufi. Kjo është pjesa që i duhen vendit tonë për të përmbushur një nga detyrimet kryesore për investimet në gjurmët e Korridorit 8. Pas lajmit të mirë se Korridori i 8-të përfshihet në projektin e Bashkimit Evropian për transportin, Shqipëria po bën gati dhe studimin e fizibilitetit për hekurudhat. Projekti parashikon tri linja hekurudhore, të cilat do të lidhin vendin tonë me vendet e tjera ku kalon ky korridor. Projekti parashikon ndërtimin e linjës së re hekurudhore për të lidhur stacionin hekurudhor të Linit me qytetin e Strugës (Maqedoni), linjën nga Porti detar i Durrësit deri në Pogradec, si dhe linjën Vlorë-Rrogozhinë, edhe ky segment i hekurudhës së Korridorit 8. Sekretariati i Korridorit të 8-të, i cili është me qendër në Bari (Itali), ka iniciuar kryerjen e studimit të fizibilitetit për linjat hekurudhore që mungojnë në këtë korridor. Sipas këtij studimi, rrjeti jonë hekurudhor do të bëhet një rrjet tranzit. BE-ja do të jetë financuesi kryesor i Korridorit 8, ndërsa për projektet e rrjetit rrugor do të kontribuojnë edhe vendet përfituese nga ky korridor. Nga MPPTT-ja mësohet se, për rrjetin hekurudhor financimet do të mundësohen direkt nga Brukseli. “Në këtë mënyrë, parametrat hekurudhorë shqiptarë do të bëhen bashkëkohore dhe rrjeti ynë hekurudhor do të integrohet me rrjetin evropian dhe atë ballkanik”,- thanë burimet nga MPPTT-ja.

Studimi

Shumë shpejt specialistë me përvojë ndërkombëtare do të nisin studimin e fizibilitetit për linjat hekurudhore shqiptare të linjës kombëtare parësore e dytësore. Studimi në fjalë që do të kushtojë disa mijëra dollarë është marrë përsipër të realizohet nga vet KE përmes një grupi pune. Pala shqiptare ka mundur të marrë besueshmërinë e komisionit ndërkombëtar për hekurudhat duke përfituar tashmë edhe studimin e rëndësishëm. Ekspertët dhe autoritetet e huaja po inspektojnë të gjithë linjën hekurudhore shqiptare nga Bajza deri në Pogradec, si dhe janë ndaluar në disa stacione për të vëzhguar ecurinë e reformave të detyruara për palën shqiptare. Investimet minimale pas viteve ‘90 në hekurudhë kanë mundur të mbajnë në këmbë shërbimin në udhën e hekurt, ndërsa në dy vitet e fundit një sërë investimet kanë rritur ndjeshëm përpunimin e mallrave. Vetëm gjatë vitit që kaloi në udhë hekurudhore është transportuar nga Mali i Zi apo për në Mal të Zi gati 6 herë më shumë mall.

Investimi

Në Drejtorinë e Përgjithshme të Hekurudhës sh.a thonë se “vendi ynë i ka mundësitë për të investuar në ndërtimin e segmentit nga Lini i Pogradecit deri në kufi me Maqedoninë, pikën ku dy hekurudhat takohen për të vijuan në itineraret respektove”. Afërsisht 5.5- 6 milionë euro i duhen Drejtorisë së Hekurudhës për të mbyllur këtë projekt. Sipas autoriteteve të hekurudhës, kjo shumë nuk është e madhe nisur nga rëndësia që ka investimi, por edhe nga kapaciteti i një shoqërie të tillë siç është hekurudha. Megjithatë, projekte të cilësuara strategjike dhe me rëndësi ndërkombëtare siç është edhe investimi për të bashkuar hekurudhën shqiptare me atë maqedonas dhe më gjerë mbeten parësore në gjetjen dhe lëvrimin e fondeve. Pak muaj i duhet palës shqiptare për të dërguar shinat e trenit deri në kufi, në ndryshim nga koha si dhe fondi që i duhen maqedonasve. Nga informacionet që janë depozituar në zyrat e shoqërisë së hekurudhës është thënë se punimet në anën tjetër të kufirit ecin me ritme të ngadalta. Maqedonia duhet të shtrojë në rrugë të hekurt një gjatësi prej 60 km, punë e cila kërkon fonde të shumta, por edhe disa muaj në mos vite. Duket se ky vend ka probleme lidhur me investimet në hekurudhë edhe me anën tjetër, me Bullgarinë pasi Maqedonia duhet të investojë në dy krahë.

Inventari i hekurudhave shqiptare

Hekurudha shqiptare ka një inventar prej afro 670 km trase prej të cilës segmenti kryesor në itinerarin veri-jug ka një gjatësi në 450 km dhe 220 km të tjerë janë linja dytësore. Ky rrjet nis nga Veriu me stacion kufitar Bajzën, deri në Jug me stacion fundor Vlorën dhe në Lindje me stacion fundor “Gurin e Kuq” në Pogradec, në kufi me Maqedoninë. Rrjeti hekurudhor shqiptar lidhet me rrjetin hekurudhor ndërkombëtar nëpërmjet linjës Bajzë-Podgoricë, Mal i Zi, ku aktualisht kryhet transporti ndërkombëtar i mallrave si dhe me Portin e Durrësit, që konsiderohet si porti hyrës i “Korridorit 8”. Ky rrjet ka gjerësi normale si hekurudhat e vendeve të tjera europiane, por është i paelektrifikuar dhe pa sistem sinjalizimi. Lëvizja e trenave drejtohet nëpërmjet sistemit të radio-ndërlidhjes. Rrjeti hekurudhor shqiptar ka filluar të ndërtohet në vitin 1947 deri në vitin 1986. Gjendja e infrastrukturës hekurudhore ka tregues të ulët teknikë. Si pasojë, shpejtësia e lëvizjes se trenave në linjë është e kufizuar edhe prej moshës mesatare të mjeteve hekurudhore, e cila është e madhe. Çdo vit, buxheti i shtetit akordon në formë subvencionesh rreth 4 milionë USD për aktivitetin e operimit dhe 3-4 milionë USD për investime kapitale. Aktualisht, Hekurudha Shqiptare ka në inventarin e saj 66 vagonë udhëtarësh, 225 vagonë malli dhe 25 lokomotiva. Me këto mjete transportohen rreth 1,5-2 milionë udhëtarë dhe rreth 400-500 mijë tonë mallra në vit.

21 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›