E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata lë të lirë agresorin e përmbaruesit

Vendimi, Eqerem Visha do të hetohet me masën “detyrim paraqitje”

Gjykata e Tiranës ka lënë të lirë agresorin e nëndrejtorit të Përmbarimit, i cili po ekzekutonte një vendim gjykate për lirimin e ambienteve të një lokali në qendër të Tiranës. Togat e zeza, pasi kanë dëgjuar pretendimet e prokurorit Blerim Tominaj, i cili kërkoi masën “burg pa afat” dhe pasi dëgjuan mbrojtjen vendosën që të lirojnë shtetasin Eqerem Visha, duke vendosur “detyrim paraqitje”. Sipas gjykatës, Visha kishte qëlluar me lëndë gërryese nëndrejtorin e Përmbarimit, Baftjar Nela, po ky i fundit nuk kishte dëmtime serioze. Togat e zeza kanë pranuar se ka pasur një sulm fizik ndaj punonjësve të Përmbarimit dhe të Policisë së Shtetit, por dëmtimet e njerëzve që po shkonin për të zbatuar ligjin nuk kanë qenë të rënda. Gjykata pretendon se familja Visha është në kushte të rënda ekonomike dhe prania e kryefamiljarit i ndihmon të përballojnë jetesën. Ndërkohë, dy ditë më parë, nënkryetari i Përmbarimit të Tiranës, Baftjar Nela, tha për gazetën se është sulmuar me një lëndë gërryese në momentin që po ekzekutonin një vendim gjykate. Ndërkohë, gjatë ngjarjes, ku ka qenë i pranishëm edhe kreu i Përmbarimit në Tiranë, Arjan Bylykbashi, është goditur edhe një punonjës i policisë me një levë. Ngjarja e së shtunës po hetohet nga Policia dhe Prokuroria e Tiranës, ku të dëmtuarit, Baftjar Nela dhe punonjësi i policisë, Artan Boçi, kanë dhënë deklarime para oficerëve të policisë gjyqësore. Në pyetje është marrë edhe i arrestuari Eqerem Visha, ndërsa drejtori i Përmbarimit të Tiranës, Arjan Bylykbashi, mund të thirret për dëshmi në prokurori dhe gjykatë. Sipas burimeve nga policia, Gjykata e Tiranës kishte urdhëruar disa javë më parë ekzekutimin e një vendimi gjyqësor për një pronë në afërsi të sheshit “Avni Rustemi”. Gjatë ekzekutimit të vendimit, përmbaruesit kishin hasur në kundërshti të shoqëruara edhe me dhunë nga familja Visha, e cila nuk pranonte të lironte ambientin, megjithëse gjykata kishte një urdhër. Në disa raste, familja Visha kishte kërcënuar me jetë përmbaruesit dhe situata degradoi në përleshje fizike midis përmbaruesve dhe personave që nuk pranonin të lironin ambientin.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›