Kufizohet kalimi në urën e Matit
Dyfishohet çmimi i transportit të mineralit të kromit nga miniera e Bulqizës. Lajmi konfirmohet për “Shqip” nga kryeinxhinieri i kësaj miniere, Fadil Cani, i cili ka shpjeguar se shkak i kësaj rritje është bërë bllokimi i lëvizjes së makinave të tonazhit të rëndë të transportit të mineralit mbi Urën e Matit që rrezikohet nga shembja. “Prej një jave vazhdojmë të jemi të bllokuar për transportin e mineralit. Kjo na ka krijuar anomali të theksuara në punën tonë. Jemi detyruar të grumbullojmë mineralin në piaciale, gjë që na ka detyruar të shtojmë numrin e rojave për ruajtjen e tij. Kontratën me kompaninë e transportit e kemi lidhur në fillim të vitit dhe specifikimet teknike janë përpiluar sipas kapacitetit mbajtës të mjeteve të transportit në përputhje me lejen e qarkullimit që ata disponojnë”, thotë kryeinxhinieri. Sipas kontratës, ngarkesa e mineralit për çdo makinë është parashikuar deri në 40 tonë. Ndërkohë Task Forca e ngritur për kontrollin e kalimit të mjeteve të rënda mbi këtë urë lejon deri në 24 tonë ngarkesë për çdo mjet. “Të detyruar për evadimin e mineralit, kemi nisur nga puna, edhe pse mjetet shfrytëzohen gati me gjysmën e kapacitetit të tyre mbajtës gjë që do të thotë dyfishim i çmimit të transportit të mineralit. Dëmi që na shkaktohet nga bllokimi i kalimit të mjeteve të rënda mbi këtë urë, siç edhe shihet, është shumë i madh, por gjithsesi shpresoj në zgjidhjen e këtij problemi nga ana e qeverisë, pasi shumë nga urat tona e kanë kapacitetin mbajtës deri në 24 tonë dhe askush nuk ndalohet të kalojë mbi to”, ka theksuar Cani.
#