E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Si i merrte Bare paratë që i dërgonin anëtarët e grupit

Prokuroria: Si i merrte Bare paratë që i dërgonin anëtarët e grupit. Banda e Lushnjës, dëshmitarët rrëfejnë gjobat që u kanë vënë
Procesi për bandën e Lushnjës vijoi dje me dy dëshmi të radhës. Në seancën gjyqësore ishte vëllai i Baki Taullait, i vrarë nga anëtarët e bandës. Fatmir Taullai, vëllai i të ndjerit, i cili u ekzekutua në Lushnjë në vitin 2005, rrëfeu në Gjykatën e Krimeve të Rënda presionet dhe kërcënimet e vazhdueshme që u bënin të akuzuarit si anëtarë të kësaj bande. Fatmir Taullai i tha gjykatës së për tetë vite me radhë kanë pasur presione dhe kërcënime nga më të ndryshmet, derisa në 2005-n iu vra dhe vëllai, Bakiu. Sipas dëshmisë së tyre, familja ka qenë në trysninë e presioneve për vite me radhë. Në emër të bandës së Lushnjës vinin gjoba gati çdo ditë dhe ato nuk ishin në shifra të vogla. Kanë qenë pikërisht mospagimi i këtyre gjobave ato që sollën edhe vrasjen e njërit prej pjesëtarëve të familjes Taullai në Lushnjë. Dëshmitari i tha gjykatës se ka paguar tri herë gjoba për llogari të bandës. Në tri raste ka paguar nga 10 milionë lekë. Në një rast 6 mijë euro dhe në një rast tjetër 500 mijë euro. Ndërsa dëshmitari tjetër ka qenë Artan Bendo, ish-pronar i një dyqani këmbimi valutor në Lushnjë. Edhe ky dëshmitar ka evidentuar problemet që ka pasur me anëtarët e kësaj bande. Bendo ka rrëfyer se nëna e Denada Bares i dërgonte lekë së bijës në Turqi me anë të pikës së tij. Denada Bare është vajza që u arrestua në Turqi dhe që mendohet se ka administruar lagunën në emër të Aldo Bares. Sipas dëshmitarit, ishte Vjollca Çela ajo që bënte dërgesat e parave nëpërmjet pikës që kishte dëshmitari Artan Bendo. Aldo Bare, sipas akuzës, është martuar në Turqi ligjërisht me Denada Kodrën, studente e Mjekësisë. Ka qenë pikërisht Kodra ajo që tërhiqte paratë e Bares nga pjesëtarët e tjerë të grupit. Ky fakt është zbuluar dje nga Prokuroria gjatë seancës gjyqësore. Bare është martuar me Denada Kodrën me emrin e dytë të tij, Mikel Kodra.

5 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›