Gjykata liron Hidrin, qëlloi me armë kandidatin e PD-së
Prokuroria kërkoi masën detyrim për paraqitje ndaj Ylli Hidrit, i cili u arrestua më 1 prill, pasi kishte qëlluar në ajër pas konfliktit me kandidatin e PD-së për komunën Dajt, Besim Kuka
Tiranë Gjykata e Tiranës ka vendosur dje të lirojë nga qelia Ylli Hidrin, i arrestuar për kanosjen e kandidatit të Partisë Demokratike për komunën Dajt. Ka qenë përfaqësuesi i prokurorisë, që kërkoi nga Gjykata caktimin e masës së sigurimit “detyrim për paraqitje” ndaj Hidrit, i cili u arrestua të premten e javës së shkuar. Fillimisht, përfaqësuesi i akuzës kërkoi vleftësimin si të ligjshëm të Hidrit dhe caktimin ndaj tij të masës së butë të sigurimit, pasi dyshohet se ka kanosur Besim Kukën, duke qëlluar në ajër me një armë gjahu. Gjykata, pasi dëgjoi prokurorinë që parashtroi edhe çështjen për të cilën u arrestua Ylli Hidri, vendosi të shpallë të paligjshëm arrestimin e tij dhe të caktojë masën e sigurimit “detyrim për paraqitje”. Gjykata vlerësoi se Hidri, pronar i linjës së autobusëve Tiranë-Linzë, nuk është person me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe ka vendosur për të që të paraqitet çdo ditë të hënën, në drejtorinë e Policisë së Tiranës. Sipas prokurorit, ngjarja e datës 1 prill ka ardhur për shkak të një konflikti të momentit, mes Hidrit e kandidatit për kryetar komune, Besim Kuka. Fillimisht, ata kanë debatuar me fjalë, ndërsa më pas Ylli Hidri ka qëlluar një herë në ajër me një armë gjahu, të cilën e dispononte me lejen e organeve të policisë. Ngjarja fillimisht mori prapavijë politike, pasi i arrestuari njihet në zonë si aktivist i Partisë Socialiste, ndërsa vetë kandidati i PD-së, Besim Kuka e mohoi një gjë të tillë. Në prononcimet që dha për mediat menjëherë pas ngjarjes, kandidati për komunën Dajt tha se gjithçka kishte ndodhur si pasojë e një konflikti të momentit dhe ftonte Hidrin të pajtoheshin menjëherë sapo ai të lirohej. Ylli Hidri u arrestua mbrëmjen e të premtes, vetëm pak minuta pas këtij konflikti me kandidatin e Partisë Demokratike për komunën Dajt, Besim Kuka. Të dy personat ishin konfliktuar po atë ditë edhe më parë, për shkaqe që nuk kanë lidhje me motivet politike, fakt ky i konfirmuar edhe ditën e djeshme, kur prokuroria nuk dha asnjë element që mund t’i jepte ngjarjes motive politike. Përleshja mes Kukes dhe Hidrit, ndodhi mbrëmjen e datës 1 prill, ku pas një konflikti verbal u përdor dhe armë zjarri.