Pranga “pronares së furrave” ishte dënuar për mashtrim
Tiranë Premtime për lirimin e të burgosurve, apo përfitime të tenderave nga burgjet, nëpërmjet një firme për prodhimin e bukës ishin disa nga format më të përdorura për mashtrim nga një 40-vjeçare, e arrestuar pas tre vitesh në kërkim. Adelina Hoxhaj me banim në Tiranë është prangosur rreth orës 15:30 të së dielës në rrugën “Sami Frashëri” në kryeqytet, pasi Gjykata e Tiranës e kishte dënuar atë në vitin 2009, me 3 vjet burg për disa raste mashtrimesh. Vetëm një vit më pas, 40-vjeçarja është dënuar sërish nga e njëjta gjykatë, pasi kishte falsifikuar certifikatën personale të bashkëshortit të saj, me qëllim përvetësimin e banesës që kishin në bashkëpronësi. Historia e 40-vjeçares Hoxhaj nis në vitin 2008, kur sipas vendimit të Gjykatës së Tiranës, ajo njihet me Ligjërie B, pronare e një lokali, të cilës i ka marrë gjatë këtij viti disa herë para hua, duke u justifikuar se i duheshin për biznesin e furrave të bukës, me të cilin do përfitonte disa tendera. “E pandehura Adelina, kësaj shtetase i ka kërkuar në kohë të ndryshme para hua, duke i thënë që i duheshin për biznesin e saj të furrave të bukës, pasi nuk po përfitonte një tender për burgjet dhe ushtrinë” - thuhet në vendimin e Gjykatës. Sipas tij, Adelina Hoxhaj rezulton të ketë marrë nga kjo shtetase një shumë prej 4 milionë lekë të vjetra, të cilat nuk i ka shlyer asnjëherë. Madje, sipas gjykatës në një rast, Hoxhaj ka kërkuar para borxh nga kallëzuesja për varrimin e një fqinje të saj, duke premtuar kthimin e gjithë shumës, pasi kishte të ngrira në bankë një llogari me rreth 68 mijë euro. Por pronarja e lokalit nuk është e vetmja që ka rënë në kurthin e 40-vjeçares, pasi menjëherë pas saj ajo ka mundur të mashtrojë një tjetër person, të cilit i ka premtuar nxjerrjen e një raporti invaliditeti. “Po ashtu, shtetasi Lavderim N. ka kallëzuar se në mars të vitit 2008, e pandehura i ka kërkuar 100.000 lekë për t’i nxjerrë një raport invaliditeti, KEMP. Për këtë qëllim, Lavderimi i ka dhenë 60.000 lekë në lokalin e shtetases Ligjerie” - thuhet në vendimin e Gjykatës. Duke qenë se nuk i ka siguruar raportin, personi në fjalë ka kërkuar kthimin e parave, të cilat nuk i ka marrë asnjëherë dhe për këtë arsye ka vendosur të depozitojë kallëzim penal ndaj Adelina Hoxhajt. Por pavarësisht dy rasteve të mëparshme të mashtrimit, 40-vjeçarja ka vazhduar të kërkojë para nga të njohurit e saj, me arsyetimin se i duheshin për të rimëkëmbur biznesin e furrave të bukës, apo për të marrë pjesë në tendera që organizoheshin nga institucione shtetërore. Një nga rastet e evidentuara gjatë hetimit të prokurorisë, ka të bëjë me mashtrimin e fqinjit të saj, shtetasit Astrit M., të cilit Hoxhaj i ka marrë rreth 2 milionë lekë të vjetra. “E pandehura Adelina Hoxhaj, duke përfituar nga raportet e fqinjësisë, me shtetasin Astrit M. i ka kërkuar shumën prej 4 milionë lekë, pasi i duheshin për të hyrë në një tender buke dhe ishte shume ngushtë me para” citohet në vendimin e gjykatës. Sipas prokurorisë, Hoxhaj ka marrë nga fqinji i saj shumën e 2 milionë lekëve, të cilat nuk i ka kthyer asnjëherë. Nga verifikimet që prokuroria ka kryer në banka, rezultoi se Adelina Hoxhaj kishte dy llogari bankare në një prej bankave të nivelit të dytë, në të cilat nuk kishte asnjë qindarkë. Pas shqyrtimit gjyqësor, Gjykata e Tiranës dënoi 40-vjeçaren me tre vjet burg në mungesë, pasi asokohe nuk ishte bërë i mundur ndalimi i saj.
3 persona Adelina Hoxhaj në pak muaj ka mundur të mashtrojë të paktën tre persona, të cilëve u ka marrë shuma të konsiderueshme parash, pasi i duheshin për të marrë pjesë në disa tendera, si pronare e një rrjeti furrash.
3 vjet burg Pasi u provuan rastet e mashtrimeve, Gjykata e Tiranës dënoi me tre vjet heqje lirie në mungesë, Adelia Hoxhaj, e cila u arrestua vetëm dy ditë më parë. 40-vjeçarja, e dënuar edhe për falsifikimin e certifikatës së bashkëshortit.