E Diel, 1 Nëntor 2026

Pretenca, 20 vjet burg për nënën që mbyti foshnjën 18-muajshe

Prokuroria: Sonila Lumi, edhe pas arrestimit dhe faktimit të autorësisë, nuk ka shfaqur shenja pendese për krimin e kryer

Korçë Vrasja e një foshnje 18-muajshe rikthehet në gjykatë, organi i akuzës kërkon 20 vjet dënim për nënën mostër. Në seancën e së hënës, Prokuroria e Korçës ka kërkuar plot 20 vjet burg për 24-vjeçaren Sonila Lumi nga fshati Zëmblak, e cila vrau djalin e saj vetëm 18-muajsh një vit më parë. Organi i akuzës në këtë seancë ka paraqitur konkluzionet e hetimit, sipas së cilës 24-vjeçarja në fillim e kishte keqtrajtuar foshnjën dhe më pas e kishte mbytur atë. Ndërkohë edhe sipas autopsisë ka rezultuar se foshnja ka vdekur nga asfiksia, fakt që e kanë dëshmuar shenjat e gishtave të nënës, të mbetura në qafën e viktimës. Prokurori i çështjes, Julian Kristo, ka pohuar gjatë konkluzioneve të tij në seancën e radhës se nëna nuk është penduar për vrasjen e të miturit. Gjykata do e japë vendimin e saj në datën 19 prill, pasi mbrojtja e të pandehurës nuk kishte gati konkluzionet në seancën e djeshme. Tashmë do të jetë gjykata ajo që do të japë vendimin në datën 19 prill, për të akuzuarën për të cilën prokuroria kërkoi 20 vjet dënim.

Krimi

Ngjarja makabre është regjistruar afro një vit më parë në fshatin Zëmblak të rrethit të Korçës. Sonila Lumi ka transportuar të vdekur në spitalin e juglindjes, fëmijën e saj vetëm 18-muajshe, ndërsa mjekët e spitalit kanë konstatuar shenja të shumta dhune. Vetëm pas pak kohësh, blutë kanë mundur të shkojnë lehtësisht drejt autorësisë të kësaj ngjarje të pazakontë, autore që në rastin konkret është nëna e fëmijës, e ardhur në jetë nga kurorëzimi i një lidhje mes çiftit. Ngjarja ka ndodhur gjatë mesditës, teksa trupi i pajetë i fëmijës ka mbërritur rreth orës 14:00 në spitalin rajonal. Duke iu referuar të dhënave zyrtare të policisë lokale, mësohet se kanë qenë mjekët e këtij spitalit, të cilët të alarmuar nga rasti, kanë kërkuar ndihmën e policisë për një hetim të specializuar. Pas hetimeve të para ka rezultuar se autore e këtij krimi monstruoz është nëna e fëmijës e cila ka përfunduar menjëherë në prangat e policisë vendore, ndonëse është përpjekur të mohojë vrasjen e fëmijës. Mësohet se krimi ka nisur në banesën e kësaj të fundit, në fshatin Zëmblak, rreth 12 kilometra larg kryeqendrës së juglindjes. Gruaja ka qenë në shtëpi vetëm me fëmijën, teksa nuk ka mundur t’i durojë të qarat e pareshtura të saj. Fillimisht ajo ka tentuar ta rrahë, por më pas nuk e ka përmbajtur veten, duke i vënë duart në fyt. Nuk dihet për sa kohë ka vazhduar kjo dhunë barbare, që çoi fëmijën me inicialet K.L., rreth një fundi të tmerrshëm. Kur ka parë që fëmija nuk ka reaguar, gruaja e re iu ka kërkuar ndihmë familjarëve të bashkëshortit, duke pretenduar se fëmija ishte shumë i sëmurë. Menjëherë, foshnja 18-muajshe është nisur drejt Korçës, ndërsa bluzat e bardha të këtij qyteti kanë konstatuar vdekjen që kishte ndodhur disa kohë më parë. Pas një verifikimi të thjeshtë janë konstatuar shenjat e shumta të dhunës në trup, ndërsa kufoma e fëmijës 18-muajshe i është nënshtruar autopsisë mjeko-ligjore. Pas të dhënave paraprake të mjekëve ligjorë, por dhe hetimeve të para të policisë, e dyshuara e këtij krimi të rëndë është nëna e fëmijës. Sonila Lumi ka përfunduar në pranga nën akuzën e “Vrasjes me dashje”. Gruaja ishte martuar me bashkëshortin e saj, 25 vjeç E.Hoxhalli rreth dy vjet më parë. Burri që punonte si çoban, në fshatin e tij, ka lënë pas një martesë të dështuar, ndërsa është martuar për herë të dytë me Sonila Lumin, e cila kishte shfaqur probleme të agresivitetit kohët e fundit.

Irena Vreto

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›