E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, vdesin të mbytura nga gazi nënë e bijë

Tragjedia

Pasiguria teknike e gazit që përdoret për ngrohje dhe gatim në banesat e qytetarëve ka shkaktuar një tjetër tragjedi familjare në vendin tonë. Rrjedhja e gazit i ka marrë jetën një gruaje të moshuar dhe së bijës invalide. Nënë e bijë, Dybrie dhe Zenepe Kabashi, përkatësisht 94 dhe 57 vjeçe me banim në lagjen e Kabashëve të fshatit Rrashbull në Durrës janë gjetur mëngjesin e së shtunës të vdekura nga nusja e shtëpisë, e cila ka shkuar për t’u kryer shërbimet e mëngjesit. Një i afërm i familjes, babai i nuses së djalit të viktimës, A.Gashi, thotë se vdekja është e ftohtë, por dhembja e madhe, pasi ishte e papritur dhe aq më tepër kur gazi merr dy jetë njerëzish në të njëjtën familje. Nusja e djalit ka shkuar në mëngjes që t'u çojë qumështin kur i ka gjetur të vdekura, ndërsa dhomën të mbytur nga gazi. Ka nxituar të njoftojë të shoqin, njëkohësisht djali dhe vëllai i viktimave. Nënë e bijë jetonin në një shtëpi me djalin e martuar dhe nga hetimet rezulton se nga një pajisje e vogël e ngrohjes me gaz, edhe pas mbylljes një natë më parë nga viktimat që kanë rënë për të fjetur, ka pasur rrjedhje, gjë që ka çuar në asfiksimin e tyre. Ato kanë qenë në gjumë dhe nuk kanë mundur të reagojnë. Gazi ka rrjedhur gjatë të gjithë natës së kaluar në dhomën ku flinin nënë e bijë, pa mundësi ajrosjeje, pasi dritarja ka qenë e mbyllur.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›