E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maskat rikthejnë pasigurinë në rrugë

Korçë

Maskat janë shfaqur përsëri në rrugët e Shqipërisë. Një 37-vjeçar nga fshati Zëmblak i Korçës ka mbetur i plagosur në një përballje me grabitës të maskuar dhe të armatosur në Qafën e Zvezdës, por policia ka dyshime se ngjarja mund të mos ketë ndodhur saktësisht ashtu siç tregohet nga viktima. Policia e Korçës njoftoi dje se Altin Kulla, 37 vjeç, është plagosur me një plumb në këmbë, ndërsa dy plumba të tjerë kanë prekur makinën e tij gjatë një sulmi me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar. Vetë i plagosuri tha se kishte ndeshur në rrugë dy grabitës me maska, por kishte arritur të kthente makinën dhe të largohej, duke shpëtuar vetëm me një plagë të lehtë në këmbë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23.30 të së premtes. Policia që shkoi në vendngjarje gjeti atje disa gëzhoja, si dhe disa gurë të vendosur në rrugë për të penguar qarkullimin e mjeteve. Në bazë të këtyre të dhënave dhe dëshmisë së të dëmtuarit, Policia e Korçës ka nisur hetimet për një vjedhje me armë të mbetur në tentativë, por në shqyrtimin e kësaj çështjeje nuk përjashtohet edhe një konflikt i mundshëm i 37-vjeçarit të plagosur me banorë të zonës ku ka ndodhur ngjarja.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›