E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e Sarandës bllokon 1 ton marijuanë lazarati

Radari zbuloi një skaf që shkonte drejt Kakomesë për ta marrë

Për të tretën herë brenda një periudhe të shkurtër kohore, bregdeti i Sarandës bëhet vend transit i narkotrafikut ndërkombëtar. Një operacion i nisur mbrëmjen e së shtunës në vendin e quajtur Gjiri i Kasolles, në afërsi të Kakomesë, ka bërë të mundur që rreth orës 20.00 Policia e Sarandës, në bashkëpunim me atë të Vlorës, të bllokojë trafikimin e një sasie marijuane që është vlerësuar në rreth 1 ton. Burimet policore thanë se lënda narkotike u gjet e ngarkuar në një automjet tip furgon me targa të Vlorës. Të njëjtat burime thanë se është parë që drejtuesi i mjetit ta braktisë atë kur ka parë se ndiqej nga policia. Ai është shpallur në kërkim, ndërkohë që janë identifikuar edhe dy persona të tjerë, bashkëpunëtorë me të. Sipas informacionit që disponon Policia e Sarandës, në momentet e para pas sekuestrimit të lëndës narkotike, një prej personave të përfshirë në narkotrafik është nga fshati Lazarat, nga thuhet se vinte lënda narkotike, drejtuesi i automjetit nga Vlora dhe personi i tretë nga Saranda. Emrat e të tre të dyshuarve nuk bëhen të ditur për arsye hetimi, ndërkohë që vazhdon kërkimi për kapjen e tyre. Bëhet e ditur se destinacioni i drogës këtë radhë nuk ka qenë Greqia, por Italia. Vetëm pak ditë më parë, në Gjirin e Bunecit, pak milje detare larg Gjirit të Kakomesë, gjithashtu në një automjet të tipit furgon, u kap një sasi marijuane prej 636 kg.
Qendra radar në Durrës edhe në këtë rast ka kapur lëvizjen e një skafi në drejtim të Kakomesë, që mendohet se do të merrte lëndën narkotike. Polica e Shtetit tha se Guardia di Finanza është vënë në ndjekje të tij.

Droga e sekuestruar mbrëmë në Gjirin e Kasolles është një sasi rekord e kapur deri tani. Përgjatë këtyre 80 ditëve të para të vitit 2010, në rajonin e Sarandës janë kapur rreth 3.7 tonë marijuanë, e cila dyshohet se vjen e gjitha nga Lazarati.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›