E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafiku i armëve, dy të arrestuar në Kukës

Braho dhe Sinemati transportonin drejt Tiranës një pako me 5 pistoleta “Zastava”

Policia lokale e Kukësit ka arrestuar të shtunën në mëngjes dy persona dhe është në kërkim të një të treti për akuzën e trafikut të armëve luftarake. S. Braha, 52 vjeç, nga fshati Bicaj dhe Artan Sinamati, 38 vjeç, nga Bushati, janë ndaluar njëri pas tjetrit, pasi po transportonin nga Kukësi drejt Tiranës një pako kontrabandë me 5 pistoleta “Zastava” dhe një sasi fishekësh. Sipas nëndrejtorit të policisë së qarkut, Xhafer Elezi, furgoni me targa Kukësi, i drejtuar nga Braha dhe i nisur drejt Tiranës me pasagjerë, mbante në bagazhin e automjetit edhe një pako, për të cilën vetë Braha ka thënë se ishte porosi e Sinamatit. “Ne kishim informacion të siguruar në rrugë operative se në furgonin e Brahës po transportohej një mall kontrabandë, por të paspecifikuar dhe gjatë kontrollit u gjet pakoja me 5 armë zjarri pistoleta”, tha Elezi, duke shtuar se kishin dyshuar se malli mund të ishte drogë, por kishin gjetur pistoletat. Policia pas kontrollit të bërë në dalje të qytetit menjëherë ka ndaluar shoferin, si dhe ka bllokuar mjetin tip furgon, duke sekuestruar edhe mallin kontrabandë si provë materiale. Një burim tjetër i policisë lokale tha se ishte ushtruar kontroll i befasishëm në shtëpinë e Sinamatit në Bushat, por nuk kishin gjetur armatim apo diçka tjetër komprometuese ndërsa kanë arrestuar vetë Sinamatin, i cili ndodhej në shtëpi. Të dy të akuzuarit janë përballur më pas në komisariat, por 38-vjeçari Sinamati, person me precedentë të mëparshëm penalë, ka mohuar t’i ketë dhënën Brahës një pako të tillë me armë zjarri. Dosja tashmë i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Kukësit, ndërsa në bashkëpunim me Policinë e Tiranës po kërkohet personi i tretë apo më saktë pritësi i pakos. Disa muaj më parë, në rrugën Kukës-Tiranë policia zbuloi një tjetër sasi pistoletash të tipit “Zastava” që transportoheshin drejt Tiranës. Policia ka përcaktuar si rrugën më të mundshme të këtij trafiku Serbinë, ku prodhohen këto lloj pistoletash, nëpërmjet Kosovës në drejtim të Shqipërisë, ku mendohet se përfundojnë në tregun vendas apo edhe jashtë vendit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›