Gjykata mbron pronat e Fazlliç
Trazhgim Sokolaj
Gjykata e Tiranës indirekt ka bllokuar kërkesën e Prokurorisë në fillim të këtij viti për të rivendosur në sekuestro pronat dhe kompanitë e biznesmenit boshnjak Damir Fazlliç, që hetohet për pastrim parash. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas të cilave Gjykata e Tiranës nuk e zbardhi brenda afatit ligjor vendimin e saj të datës 31 dhjetor 2008 për zhbllokimin e kompanive dhe pronave të 33-vjeçarit nga Bosnja. “Fshehja” e vendimit për më shumë se dhjetë ditë është bërë pengesë për Prokurorinë, që organi i akuzës ta kundërshtonte sipas ligjit këtë vendim me anë të ankimimit në Gjykatën e Apelit. Kjo për shkak se ankimi në Apel për një vendim të caktuar kërkon që bashkë me padinë të dorëzohet edhe vendimi që kundërshtohet apo të paktën, të dhënat kryesore të tij. Duke mos pasur në zotërim vendimin në fjalë, por duke u kushtëzuar nga afati ligjor i vlefshëm për ankimim (vetëm 10 ditë), Prokuroria e Tiranës ka kundërshtuar në Apel lirimin e pronave dhe kompanive të biznesmenit Fazlliç pa mundur të dorëzojë vendimin që kundërshtohej. “Në momentin e dorëzimit të padisë në Apel ishte e pamundur të paraqitej vendimi, pasi gjykata nuk e kishte zbardhur edhe dhjetë ditë pas shpalljes së tij në seancë gjyqësore”, thanë burimet nga Prokuroria. Sipas tyre, ligji kërkon që brenda pesë ditëve nga shpallja e tij, vendimi të jetë i zbardhur dhe i disponueshëm për palët, në mënyrë që gjithsecili që e konsideron vendimin të padrejtë, të ketë mundësinë e kundërshtimit të tij në rrugë ligjore.
Zvarritja e vendimeve
Fenomeni i zvarritjes në zbardhjen e vendimeve gjyqësore që merren nga gjykatat, duket se është i përhapur. Për këtë shkak, pak kohë më parë, në mënyrë publike dhe në prani të zyrtarëve të KLD-së dhe Ministrisë së Drejtësisë, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama akuzoi gjykatat. Ajo tha se zbardhja e vendimeve me vonesë, në rastet e shuarjes së masave të arrestit apo lirimit të personave nga qelitë, po bëhej shkak për zvarritje, shkelje ligjore dhe mbajtje të personave padrejtësisht në izolim përtej afateve. Zbardhja e vendimeve me vonesë bëhet shkak që zbatimi i tyre të zvarritet për shkak se Sektori i Ekzekutimit të Veprimeve Penale nuk mund të veprojë në mungesë të dokumentacionit që konkretisht përbëhet nga vendimi i zbardhur i gjykatës. Zvarritja në zbardhjen e tij, sipas Prokurorisë, bëhet shkak jo vetëm për pengesa në të drejtën e palëve për apelim, por edhe për mbajtje në qeli të personave, edhe pasi gjykatat kanë urdhëruar lirimin e tyre. Një gjë e tillë është në kundërshtim me ligjin dhe zakonisht shoqërohet me kërkesa të qytetarëve për dëmshpërblimin e burgut të padrejtë, ndërsa të gjitha shumat që akordohen në këtë rast shpenzohen nga buxheti i shtetit.