E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ngacmoi vajzën, “Roki” i Bathores përplasje me armë me 24-vjeçarin

 

TIRANE- Një përleshje me armë ka ndodhur pasditen e djeshme në zonën e Bathores në periferi të Tiranës. Dy të rinj janë zënë fillimisht me fjalë me njëri-tjetrin, më pas njëri prej tyre ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar në drejtim të palës kundërshtare, por fatmirësisht plumbi ka shkuar bosh. Burime nga policia bënë të ditur se bëhet fjalë për një sherr të nisur disa javë më parë mes 26-vjeçarit Tomorr Aliaj dhe 24-vjeçarit Sazan Belba. Të njëjtat burime sqaruan se konflikti mes dy djemve kishte nisur pasi Belba, i njohur me nofkën "Roki", i ngacmonte motrën Aliajt nëpërmjet telefonit. Policia e ka cilësuar ngjarjen e djeshme si përplasje mes të "fortëve", duke e klasifikuar si vrasje të mbetur në tentativë. Oficerët e Sektorit të Krimeve Kundër Personit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë arrestuar 26-vjeçarin me origjinë nga Kukësi, Tomorr Aliaj. Ai akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë, pasi ka qëlluar me armë ndaj 24-vjeçarit Belba. Sipas burimeve nga policia e kryeqytetit, Sazan Belba, fatmirësisht nuk është prekur fare nga plumbat e dalë nga pistoleta e Aliajt. Të dy personat e përfshirë në sherrin e djeshëm banonin në Bathore. Nga provat e policisë është bërë e ditur se, vajza, të cilën e ngacmonte Belba, i kishte treguar të vëllait për të gjithë historinë. Belba njihej si i "fortë i Bathores" dhe thirrej dhe me pseudonimin "Roki". Por dje sherri mes të rinjve i ka kaluar përmasat e debatit, duke përfunduar në një përplasje me armë. Banorë të shumtë të Bathores kanë qenë prezentë në vendin e ngjarjes dhe kanë njoftuar menjëherë policinë. Ata kanë dëshmuar se, pasi janë zënë me fjalë Aliaj ka nxjerrë një armë të llojit pistoletë "TT" dhe ka qëlluar ndaj 24-vjeçarit, i cili ka shpëtuar pa asnjë plagë. Përveç personit të arrestuar policia ka marrë në pyetje edhe Sazan Belbën si dhe motrën e autorit të ngjarjes, të cilët janë pyetur rreth konfliktit që kishte nisur mes tyre prej disa javësh.          e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›