Padia për vajzën, nis gjyqi kundër Muharrem Haklajt
TIRANE – Gjykata e Tiranës nisi dje shqyrtimin e padisë së Anila Haklajt, bashkëshortes së Fatmir Haklajt, kundër prindërve të burrit, për të cilët pohon se i kanë marrë vajzën. Në kërkesë-padinë e dorëzuar në gjykatë rreth katër muaj më parë, e veja e ish-të fortit të Tropojës i vrarë në vitin 2001, pohon se vajza e saj, Fatmira Haklaj, ka lindur 5 ditë pas vrasjes së të atit dhe tashmë jeton me gjyshërit diku në vendet Skandinave, ndërsa e ëma ka vite që nuk e ka parë. Duke mos pasur asnjë rrugë tjetër zgjidhjeje, e veja e Fatmir Haklajt, i është drejtuar gjykatës së kryeqytetit me një padi kundër vjehrrit dhe vjehrrës, Muharrem dhe Fatime Haklaj, objekt i së cilës është: “kthimi i fëmijës së mitur Fatmira Haklaj datëlindje 9 nëntor 1999”. Shorti elektronik ka caktuar gjyqtaren Rezarta Vigani për ta shqyrtuar, e cila gjatë kësaj kohe ka dërguar një letër-porosi në Suedi, vend ku mendohet se gjendet vajza, tashmë 8-vjeçare. Në këtë vend mendohet se jetojnë edhe prindërit e Fatmir Haklaj, ndërsa dje në gjykatë u paraqit ish-kunata e paditëses, Aishe Haklaj, e cila pohoi se familja e prindërve të saj caktonte avokatin Asaf Hadëraj për t’i përfaqësuar në gjykim. fa.ma.