E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klosi dëshmi sekrete për Remzi Hoxhën

 

Armand Bajrami

Ish-kryetari i Shërbimit Informativ, Fatos Klosi, dëshmoi dje me dyer të mbyllura në Gjykatën e Krimeve të Rënda në procesin gjyqësor kundër katër ish-agjentëve të këtij shërbimi të akuzuar për zhdukjen dhe torturimin e Remzi Hoxhës. Pas seancës me dyer të mbyllura, për shkak të funksionit që Klosi ka pasur në SHIK, por edhe për shkak të natyrës së dëshmisë së tij, është mësuar se ish-kryespiuni shqiptar ka rrëfyer para gjykatës gjithçka dinte, që nga verifikimet e kryera prej tij në SHIK, ku nuk kishte asnjë dosje apo dokument për shoqërimin e shqiptaro-maqedonasit Remzi Hoxha, apo qoftë edhe të Ziso Kristopulit dhe Avdyl Loshajt. Ndër të tjera Klosi nuk ka lënë pa përmendur faktin se, pasi ka marrë detyrën si drejtues i shërbimit sekret, ka gjetur njolla gjaku në muret e dhomave të shoqërimit të SHIK-ut.   
Seanca “sekrete”
Ndërsa kryesuesi i seancës së djeshme, gjyqtari Xhelal Elezi, po i prezantonte palët para të cilëve do të pyetej, dëshmitarit Fatos Klosi, ky i fundit kërkoi që të dëshmonte me dyer të mbyllura. “Para se të filloja dëshminë, do të thosha që unë jam thirrur këtu si kryetar i Shërbimit Sekret dhe unë nuk kam deklaruar ndonjëherë në publik probleme të shërbimit. Do të kërkoja që seanca të bëhej me dyer të mbyllura”, tha Klosi para gjykatës. Kërkesa e tij u mbështet edhe nga prokurori i çështjes dhe më pas edhe nga vetë gjykata, e cila në vazhdim kërkoi boshatisjen e sallës së gjyqit nga publiku dhe mediat. Sipas burimeve të gazetës pranë Gjykatës për Krimet e Rënda, mësohet se Klosi në dëshminë e tij ka shpjeguar gjithë mënyrën e organizimit të Shërbimit Informativ Kombëtar, mënyrën se si persona të caktuar bëhen objekt ndjekjeje e gjurmimi deri tek procedurat e ndalimit dhe verifikimit duke marrë në pyetje të dyshuarin.
Zhdukja e Remzi Hoxhës
Në lidhje me zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, Klosi ka pohuar se këtë fakt e ka mësuar nga vëllai i biznesmenit. “E kam marrë vesh zhdukjen e Remzi Hoxhës nga vëllai i tij”, ka dëshmuar Klosi. Ai tha se vëllai i Remzi Hoxhës i kishte shkuar në zyrë, ku i kishte kërkuar ndihmë për gjetjen e vëllait të zhdukur. Sipas ish-kreut të Shërbimit Sekret të ardhur në këtë detyrë në vitin 1997, menjëherë pas kësaj ai ka ngritur një grup pune dhe ka nisur verifikimet për rastin në fjalë. “Kam bërë të gjitha verifikimet e mundshme në arkivat e SHIK-ut, por nuk kam gjetur asnjë dokument në lidhje me shoqërimin e shtetasve Remzi Hoxha, Abdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli”, tha Klosi. Ai deklaroi se nga paraardhësit e tij nuk i është bërë informacion krerëve të lartë të shtetit lidhur me ngjarjen e Remzi Hoxhës. “Ish-krerët e SHIK-ut nuk kishin bërë asnjë informacion për krerët e shtetit. Nuk kam gjetur asgjë të protokolluar”, është shprehur Klosi. E njëjta përgjigje është dhënë nga Klosi edhe për pyetjen lidhur me një procesverbal të marrjes në pyetje të shtetasit Avdyl Loshaj në zyrat e SHIK-ut në Tiranë, fakt i pretenduar nga një dëshmitar në seancat e mëparshme. “Grupi i vëzhgimit mund të bënte vetëm vëzhgime dhe duhet të qëndronin të fshehur. Kishte struktura të tjera që bënin shoqërime”, sqaroi dje Klosi, duke u mbështetur në ligjin mbi të cilin funksionon Shërbimi Informativ. Gjithashtu ish-kreu i SHIK-ut ka përmendur edhe njëherë dje që me marrjen e detyrës pas një inspektimi në dhomat e shoqërimit, ai kishte gjetur mure të njollosura me gjak. Të pandehurit e çështjes Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe akuzohen nga Prokuroria për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës, si edhe për rrëmbimin dhe torturimin e Ziso Kristopulit dhe Avdul Loshajt, ngjarje e ndodhur në tetor të vitit 1995.

Hetim nga SHIK-u, Klosi çoi 22 emra në Prokurori

TIRANE – Një material hetimor i hartuar prej Shërbimit Informativ Shtetëror deri në vitin 2003 është dorëzuar në Prokurori nga Fatos Klosi gjatë kohës që organi i akuzës po zhvillonte hetime për zhdukjen e Remzi Hoxhës. Në këtë material përmenden me emra konkretë 22 persona, të cilët lakohen si dëshmitarë apo të dyshuar për dijeni dhe implikim në rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës. Sipas materialit, i cili është administruar në dosje dhe është verifikuar nga Prokuroria, mësohet se nga 22 emrat e përmendur, nëntë prej tyre janë evidentuar si zyrtarë dhe ish-zyrtarë që ishin implikuar në ndalimin e Remzi Hoxhës, marrjen e tij në pyetje dhe gjithçka kishte ndodhur më pas me biznesmenin. Mes nëntë personave të evidentuar si “autorë” renditen edhe katër ish-agjentët që janë çuar në bankën e akuzës. Në material thuhej se Remzi Hoxha është ndaluar në Tiranë më 21 tetor 1995, është çuar në Vain të Lezhës ku është marrë në pyetje duke u rrahur dhe, si pasojë e keqtrajtimeve ka gjetur vdekjen ndoshta tri ditë më pas si dhe duhet të jetë varrosur diku në atë zonë, ku verifikimet nuk arritën të zbulojnë asnjë gjurmë nga i zhdukuri.                       tr.so    

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›