Gjykata nuk zgjidh dot ngërçin në Patos
Këshilli Bashkiak mbetet jashtë funksionit, me një kryetar të majtë dhe një të djathtë
Mbetet i hapur konflikti për kreun e Këshillit Bashkiak të Patosit. Dje në mesditë, Gjykata e Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor të Fierit ka kërkuar r depozitim të padisë nga kryetari i këshillit bashkiak Patos, Maksim Goga. Ditën e mërkurë është zhvilluar seanca e fundit gjyqësore për padinë e ngritur nga kreu i Këshillit Bashkiak Patos. Pritej që vendimi që do të merrej në këtë seancë do t’i jepte zgjidhje tensioneve politike, që kanë përfshirë prej muajsh Bashkinë e Patosit. Por, edhe pas zhvillimit të kësaj seance të pritshme nuk është dhënë ende asnjë zgjidhje. Gjyqtari Fatri Islami, në përfundim të seancës që ka zgjatur rreth një orë e gjysmë, ka vendosur të kërkojë ribërjen e padisë nga Maksim Goga. Me gjithë interesimin e institucioneve të tilla si prefektura apo dhe Bashkia e Patosit, sërish asnjë nga palët pretendonte nuk ka dalë fituese.
Edhe pse gjyqi është zhvilluar me dyer të mbyllura prej kancelares së gjykatës, Flora Zoto, mësohet se gjyqtari Fatri Islami ka vendosur rikërkim padie, për arsye se nga shqyrtimi i dosjes ka konstatuar mangësi në disa dokumente, të cilat ai i kishte kërkuar qysh në seancën e parë.
“Që në seancën e parë, gjyqtari ka kërkuar një seri dokumentesh. Ndonëse u la një afat, dokumentet nuk janë dorëzuar dhe për pasojë gjyqtari ka vendosur rikthim të padisë”, tha Flora Zoto, kancelare e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor në Fier.
Nga ana e tij, kryetari i Këshillit Bashkiak të Patosit, Maksim Goga, është shprehur i vendosur për ridepozitim padie. Jo fort i kënaqur nga vendimi i togave të zeza, Maksim Goga ka thënë për gazetën “Shqip” se sistemi i drejtësisë nuk premton shumë.
Ndërsa përfaqësues të prefekturës, të cilët kanë ndjekur nga afër problemin e Këshillit Bashkiak Patos dhe që janë pozicionuar tashmë krah mazhorancës së re PD-PDI-LSI, jo vetëm që janë shprehur entuziastë për vendimin, por kanë thënë se afatet ligjore dhe çështja e Bashkisë së Patosit mund të konsiderohet e mbyllur tashmë. Këshilli ka vendosur kryetarin e ri dhe ka krijuar tashmë mazhorancën aktuale. Odiseja e Këshillit Bashkiak Patos ka nisur disa muaj më parë, kur kryetari Bardhi Meli, përfaqësues i LSI-së gjatë një vizite të Edi Ramës në Fier deklaroi largimin nga forca politike që përfaqësonte dhe se nuk pajtohej me lëvizjet e LSI-së. Kjo solli rikompozim të mazhorancës në këshillin bashkiak e për pasojë mocionin e votëbesimit për kryetarin që ishte i PS-së.
#