E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Respektojmë gjykatën edhe kur nuk na pëlqen

Diplomacia
Zëvendëskryeministri: Do të lexojmë me vëmendje dhe argumentimet që do të jepen

Ministri i Jashtëm, njëherësh edhe zëvendëskryeministri Ilir Meta, reagoi dje pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për marrëveshjen e ndarjes së kufijve ujorë. Meta deklaroi qartë se qeveria shqiptare do të respektojë vendimin e kësaj gjykate, ndërsa sqaroi se ky dikaster do të studiojë me vëmendje arsyetimin e anëtarëve të Gjykatës, për të bërë të njohur pastaj hapat që do hedhë. Ndër të tjera, numri dy i qeverisë shqiptare tha se ekzekutivi do ta respektojë vendimin e gjykatës, duke e krahasuar me qëndrimin e socialistëve që nuk njohin vendimin e gjykatave për zgjedhjet, vetëm sepse nuk janë në favor të tyre. “Ajo që dua të them është se në cilindo rast, sikurse jam shprehur dhe përpara se kjo çështje të ankimohej në Gjykatën Kushtetuese, qeveria do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pasi kjo është një domosdoshmëri që vjen nga respekti i qeverisë për pavarësinë e gjykatave dhe të institucioneve të pavarura, pavarësisht nga pretendimet apo nga rezervat që mund të kemi ndaj çdo lloj vendimi, pasi ne do të lexojmë me vëmendje dhe argumentimet që do të jepen dhe kuptohet që do të bëjmë edhe sqarimet e duhura”, tha Meta. Sipas tij, dallimi esencial midis kësaj mazhorance europiane për integrim me lidershipin aktual të opozitës aktuale, është pikërisht ky, që qeveria i respekton vendimet e gjykatave edhe kur i pëlqejnë, edhe kur mund të ketë rezerva për to.
I pyetur nëse një vendim i tillë i Gjykatës Kushtetuese prek marrëdhëniet me Greqinë, ministri i Jashtëm vlerësoi se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë, pavarësisht nga cilido që mund të jetë mendimi dhe argumentimi përkatës. “çdo gjë do të bëhet duke respektuar institucionet e dy vendeve, duke respektuar ligjin ndërkombëtar dhe cilido që do të dëshironte që ky vendim do të cenonte marrëdhëniet mes dy vendeve, jam i bindur se do të mbetet i zhgënjyer”, deklaroi Meta. Sa më tej, Meta bëri me dije se Ministria e Jashtme nuk mund të bëjë asnjë sqarim të mëtejshëm pa pasur të zbardhur qëndrimin dhe argumentimin e Gjykatës Kushtetuese. “Kushdo që të jetë vendimi, ne e kemi thënë para se kjo çështje të shkonte në Gjykatën Kushtetuese, ne do ta respektojmë, sepse respektojmë pavarësinë e gjykatave që është esenciale për një vend demokratik dhe që do të bëhet europian”, vijoi kreu i MPJ-së. Kreu i diplomacisë siguroi se ministria do të lexojë me shumë vëmendje të gjitha argumentet që do të jepen në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. “Më pas do të japim sqarimet për ju dhe për gjithë opinionin publik dhe pa asnjë diskutim, do të jemi sërish para jush për t’ju bërë të qartë sesi do të ecet më tej”, argumentoi ai. Absolutisht që çështje të tilla, që janë të mbartura, do të zgjidhen, në respekt të vendeve përkatëse, natyrisht dhe në respekt të ligjit shqiptar dhe me përkushtimin e pamohuar për të ardhmen europiane, sidomos të vendit tonë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›