Piktorja Albana Rexha me krijimet më të fundit në telajo
Merita Toçila
Ajo pikturon, ka kaq kohë që pikturon. Pak i intereson nëse e shohin apo jo, nëse e pranojnë apo jo, sepse ajo e di, ata që nuk duan të shohin nuk shohin asgjë. Sepse ajo e di që piktura është një pëlqesë e të tërëve por jo të gjithë e kuptojnë. Ajo pikturon sepse dëshiron të pikturojë. Dhe piktura është shqetësimi i saj. Shqetësimi i vetëm i saj. Me krenarinë për atë që është e aftë të realizojë dhe dyshimet që e shoqërojnë duke dalë herë njëri dhe herë tjetri më në pah, asaj i duhet të gjejë gjithë mënyrat për të shprehur vetveten. Nevoja për çlirimin nga pavetëdija, nevoja për durimin, aty ku orët kalojnë para një tabloje, herë te Magritte, herë Dali,apo Rembrandt, apo të ndonjë tjetri, për të gjetur zgjidhjen e pyetjeve se si është realizuar një hije, si duhet realizuar sa më mirë një transparence. Pikturon kryesisht trupin njerëzor duke u ndalur me gjatë mbi portretin dhe na lejon të depërtojmë në brendinë e tyre, nëna, gruaja, vajza, burri. Në këtë formë prezanton me një burim vërtetësie pa qenë nevoja të ekzistojnë maska. Imazhi lind mbi telajo, duke na derdhur para ngjyrat, kontrastet, format, duke interpretuar me emocionin e saj. Loja e saj është kontrasti midis dritës dhe hijes, ngjyrat e ngrohta me të ftohta dhe linjat nganjëherë spontane. Kërkimi i saj është puna me trupin dhe portretin, sepse e ndjen që kanë ende nevojë për eksplorim, trupi nudo ende ka mbetur si një tabu, mbi këtë sens ajo përpiqet të nxjerrë në pah atë që mbetet, kur jemi në vetminë tonë. Ajo e di që piktura kërkon kohë për të arritur perfeksionin dhe duhet të kalojë nga një rrugë studimi e gjatë, ashtu sikurse e di që kur prezantohesh me krijimet merr përsipër dhe rrezikun bashkë me pikturën që sjell. Krijimet e saj herë të gjalla dhe herë të buta, të impresionojnë dhe të tërheqin për pasqyrimin e diapazonit të shpirtit njerëzor. Ajo i merr dhe i trajton me kurajo. Dhe kjo ekspozitë e vë në dukje këtë. Eshtë e para ekspozitë e Albanës në galerinë “Kodra”, galeri që prej disa kohësh nën kujdesin e veçantë të Ministrit të Kulturës, Ylli Pango, është shndërruar në një ambient të preferuar për artistët, për promovimin e krijimeve të tyre më të fundit, në çdo lloj gjinie të artit pamor. Dhe kjo nuk është një zanafillë, por vazhdimësi.
22 Maj 2008