Gjykata refuzon lirimin me kusht të dëshmitarit të vrasjes së deputetit Azem Hajdari
Gjykata e Tiranës ka refuzuar që të lirojë dëshmitarin e vrasjes së ish-deputetit të PD-së, Azem Hajdari. Në përfundim të seancës gjyqësore të zhvilluar ditën e djeshme, gjyqtari Ilir Çeliku vendosi që Petrit Brahja të vazhdojë të mbetet në qeli. Ai është dënuar me 10 vjet heqje lirie për grabitjen e 500 milionë lekëve në bankën e Tropojës. Gjykatësi arsyetoi se i dënuari nuk mund të përfitojë lirimin e tij me kusht, pasi gjendja e tij shëndetësore është duke u përmirësuar. Në këto kushte, 39-vjeçari mund të mjekohet në ambientet e burgut. Drejtoria e Burgjeve ka transferuar Brahjen në burgun e Fushë-Krujës, ku edhe do të vuajë pjesën tjetër të dënimit të tij.
Pala mbrojtëse kërkoi nga gjykata lirimin me kusht të tij, pasi 39-vjeçari nuk mund të qëndronte në spitalin e burgut, pasi mungonin medikamentet e nevojshme për mjekimin e tij. Por një kërkesë e tillë nuk është pranuar nga gjykatësi i çështjes, i cili ka vendosur që Brahja të vazhdojë të mbetet në qeli.