Topi: Qeveria, e suksesshme në reformat ekonomike
Shqipëria, pas hyrjes në NATO, kryerjes së suksesshme të reformave ekonomike dhe miratimit të një legjislacioni shumë lehtësues, ofron kushte dhe mundësi optimale për të tërhequr investime nga grupe dhe sipërmarrje të fuqishme nga jashtë në fusha të ndryshme si turizmi, agro-biznesi, infrastruktura, shëndetësia, energjitika etj. Këtë i vuri dje në dukje Presidenti i Republikës, Bamir Topi, drejtorit të përgjithshëm të Fondit Ndërkombëtar të Zhvillimit të OPEC-ut (OFID), Suleiman J. Al-Herbish. Gjatë takimit, Presidenti Topi theksoi rolin e madh dhe ndihmesën e jashtëzakonshme të Fondit Ndërkombëtar për Zhvillim të OPEC-ut dhënë Shqipërisë gjatë viteve të vështira të tranzicionit nëpërmjet realizimit të shumë projekteve në infrastrukturë, në sektorin e kujdesit shëndetësor, në zhvillimin urban, në ndërtimin e spitaleve dhe ujësjellësve, në luftën kundër varfërisë etj., ndërsa drejtori i përgjithshëm i Fondit për Zhvillim Ndërkombëtar të OPEC-ut, Suleiman J. Al-Herbish, theksoi se misioni i Fondit të tij është që t’u vijë në ndihmë dhe të investojë në të gjithë ato vende, që kanë nevojë dhe e meritojnë këtë ndihmesë duke nënvizuar faktin se Shqipëria renditet e para në listën e këtyre njëqind e njëzet vendeve. Ndërkohë, përfaqësuesi i lartë Fondit Ndërkombëtar për Zhvillim të OPEC-ut shprehu gjithë gatishmërinë dhe angazhimin e tij personal për vazhdimësinë e bashkëpunimit të frytshëm me vendin tonë, duke realizuar projekte në funksion të rritjes ekonomike dhe begatisë së Shqipërisë, siç janë në veçanti ndërtimi dhe funksionimi i përsosur i spitaleve në Durrës dhe vitin që vjen, edhe atij në Kavajë.