Gjykata rikthen në qeli dy nga tre inspektorët e arrestuar
“Kryeinspektori Virgjil Joti na ka kërcënuar se do të na heqë nga puna nëse ne nuk do të merrnim zarfin ku ishin 17 mijë euro. Nuk dija asgjë se çfarë kishte brenda atij zarfi”. Kjo ishte dëshmia e dhënë përpara Gjykatës së Tiranës nga inspektori Kastriot Llakaj. Sikurse edhe inspektori tjetër, Luan Qato, ata kanë përjashtuar veten nga paratë e marra, të cilat, sipas tyre, kishin si destinacion kryeinspektorin e Inspektoratit Qendror Teknik, Virgjil Joti. Ky i fundit ka mohuar përpara gjykatës të ketë pasur ndonjë lidhje me firmën e karburanteve që i denoncoi, por dëshmia e tij u rrëzua nga të dy inspektorët e tij. Në këto kushte, Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e prokurorisë dhe la në burg pa afat kryeinspektorin e Inspektoratit Qendror Teknik, i arrestuar në flagrancë për korrupsion pasiv Virgjil Joti dhe inspektorin Kastriot Llakaj. Ndërsa për inspektorin tjetër, Luan Qato, me kërkesë të prokurorisë, gjykata vendosi lënien në liri në këmbim të garancisë pasurore. Organi i prokurorisë regjistroi procedimin penal ndaj kryeinspektorit Joti pasditen e 1 qershorit, pas denoncimit të një subjekti nga Vlora që operonte në fushën e karburanteve. Ky i fundit bashkëpunoi me prokurorinë, duke përdorur metoda speciale hetimi për arrestimin në flagrancë të 3 personave. Prokuroria ka siguruar filmimet operacionale në momentin e dorëzimit të 17 mijë eurove, si dhe dëshmitë e dhëna nga subjekti denoncues. Këto konsiderohen provat kryesore të akuzës për 2 nga 3 të arrestuarit.
Gjenden 2 mijë paketa kontrabandë, arrestohet 55-vjeçari
ELBASAN - Kapen më shumë se dy mijë paketa cigaresh kontrabandë dhe në pranga ka rënë një person. Burime zyrtare nga Policia e Elbasanit kanë bërë të ditur se operacioni i koduar “Trokadero” është organizuar në orën 12:00 të ditës së djeshme. Sipas tyre, hetimet në lidhje me aksionin janë kryer nga efektivët e sektorit Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar. Operacioni është bërë në lagjen “Aqif Pasha”, pikërisht në dyqanin e shtetasit Fatos Myftari, 55 vjeç. Gjatë kontrolleve në këto ambiente janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy mijë copë paketa cigare kontrabandë të markave “Trokadero”, “Marlboro”, “Karelia Slims” etj. Këto paketa kishin ardhur kontrabandë nga shteti grek me qëllim që të shiteshin në tregun e qytetit të Elbasanit. Menjëherë ndaj Myftarit është marrë masa e arrestit për veprën penale të “kontrabandës”. Ndaj të arrestuarit janë duke vazhduar hetime të tjera, ndërkohë që po kërkohet për gjetjen e bashkëpunëtorëve të tij. Dosja me materialet në ngarkim të 55-vjeçarit i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për hetime të mëtejshme.
5 Qershor 2010