E Diel, 1 Nëntor 2026

Rreziku nga shpërthimi, Prokuroria heq dorë nga sekuestrimi i municioneve në Gërdec



Laureta Rryçi

Prokuroria heq dorë nga sekuestrimi mbi municionet që kishin shpëtuar nga shpërthimi prej tragjedisë së Gërdecit. Pas dy vitesh, prokurorët e çështjes duket se kanë qenë të detyruar për ta bërë një kërkesë të tillë. Kërkesa u bë gjatë seancës së djeshme në Gjykatën e Tiranës. Prokurorët shpjeguan se për shkak të temperaturave që në këtë kohë rriten, ky municion përbën rrezik shpërthimi duke qenë kështu një rrezik i përhershëm ndaj banorëve të zonës. Për këtë arsye u kërkua heqja e sekuestrimit dhe largimi i këtij municioni drejt poligoneve për t’u administruar nga specialistë të fushës. Kjo kërkesë u pranua nga trupi gjykues që po shqyrton prej kohësh dosjen. Më tej seanca vijoi me dëshmitë e radhës. Në këtë seancë dëshmuan ish-punonjës të Xhenios, të cilët kishin dijeni mbi hartimin e kontratave për fadromat e ushtrisë që punuan në favor të firmës “SAC” dhe “Albademil”.
Kërkesa
Stina e verës duket se e ka vënë prokurorinë para presionit për të hequr dorë nga kërkesat e një prej sekuestrimeve që u vendosën pas tragjedisë së Gërdecit. Alarmi mësohet se ka ardhur fillimisht nga specialistët ushtarakë, të cilët kanë dashur të evitojnë një tragjedi të dytë në këtë zonë. Argumentet e ushtarakëve kanë qenë bindëse; për këtë arsye e ligjëroi kërkesën e saj për heqjen e sekuestrimit ndaj kësaj sasie të konsiderueshme municioni. Ky municion ishte vënë në sekuestrim që pas tragjedisë si provë materiale. Për këtë sasi, firma “Albademil” i kishte bërë pagesën “MEICO”-s dhe pritej që të demontohej.
Dosja që po gjykohet në Gjykatën e Tiranës ka plot 29 të pandehur, shumica ish-ushtarakë dhe 3 drejtues të fabrikës së demontimit të armëve janë të vetmit në arrest. Tragjedia e Gërdecit ishte më e rënda që ka goditur vendin tonë vitet e fundit. Vetëm 15 kilometra nga Tirana shpërtheu një fabrikë ku demontoheshin armë duke shkaktuar 26 të vdekur, mbi 300 të plagosur dhe dhjetëra banesa e biznese të shkatërruara.
Dëshmitë
Tre punonjës të batalionit të Xhenios dëshmuan dje në seancën e radhës të tragjedisë së Gërdecit. Procesi ndaj 29 të pandehurve të akuzuar për shpërthimin në fabrikën e demontimit në Gërdec, më 15 mars 2008, zhvillohet në Gjykatën e Tiranës. Pyetjet e trupit gjykues ndaj dëshmitarëve janë përqendruar kryesisht te urdhrat zyrtare që angazhuan mjete të rënda të ushtrisë në fabrikën e demontimit, siç ishte fadroma, ku humbi jetën edhe punonjësi i ushtrisë, Ilirjan Malci. Dy punonjëse në batalionin e Xhenios, Nafie Hoshafi dhe Valbona Idrizi, si dhe zv.shefi i batalionit të Xhenios, Vladimir Dushi, u pyetën për të njëjtën çështje. Idrizi tha se e kishte përpiluar ajo urdhrin për ndërhyrjen e fadromës në Gërdec por më pas ky urdhër ishte firmosur nga eprorët. Kurse Dushi, ish zv.shefi i batalionit të Xhenios, konfirmoi se hyrja e fadromës në fabrikën e demontimit u bë pas një kontrate mes MEICO-s dhe repartit të Xhenios. Po kështu, Dushi shpjegoi se për koston e transportit dhe karburantit ishin rënë dakord që shpenzimet të mbuloheshin nga MEICO. Mirëpo edhe ky ushtarak, si shumë të tjerë, tregoi se këto fatura nuk u paguan asnjëherë.

5 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›