E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhdukja e 6-vjeçares Bleona Mata, operacione masive kërkimi



KUKËS - Pasditja e 22 majit shënon kohën e ndarjes së vogëlushes 6-vjeçare Bleona Mataj nga prindërit, Bukurie dhe Zamir, si dhe nga vëllai i saj i vogël 3-vjeçar. Kanë kaluar 13 ditë nga koha e zhdukjes dhe në shtëpinë e vajzës ka ende shumë shpresë. Vajza humbi çdo gjurmë 500 metra larg banesës së saj. Ngjarja i detyroi drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit për të shkuar në Kukës, ndërsa hetimi po ndiqet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. 3 milionë lekë shpërblim janë vendosur për atë që jep informacione për vajzën. Pistat për zhdukjen janë të shumta dhe nisin nga një sulm i kafshëve të egra, humbje në pyll, grabitje për shkak të ndonjë konflikti. Në listën e të pyeturve nga policia janë edhe të afërmit e vajzës, por hetimet nuk kanë dhënë asnjë rezultat. “Ai person që e ka të mos ma dëmtojë fëmijën. Le të hapë gojën për çdo gjë që do, por të ma lirojë vajzën, ta lërë në një rrugë ku ta gjejmë. Do t’i japim çfarë kërkon dhe nuk do ta denoncojmë në polici. Por duam Bleonën, pasi ajo është jeta jonë”, - shprehet nëna e vajzës, Bukurie Mata.
Policia shqiptare ka intensifikuar kërkimet duke përfshirë edhe UMNIK-un, për gjetjen e gjurmëve të Bleona Matës, 6-vjeçares së zhdukur pasditen e 22 majit në fshatin Zapod të Kukësit. Pas një marrëveshjeje dypalëshe mes dy vendeve, të hënën e ardhshme pritet që të nisë një kërkim intensiv në të gjithë zonën kufitare mes Shqipërisë e Kosovës, pasi fshati Zapod është shumë afër kufirit me Kosovën. Operacioni ka për qëllim gjetjen e ndonjë gjurme të vogëlushes Bleona Mata, e cila u zhduk teksa kishte vajtur të kulloste bagëtitë bashkë me hallën e saj dhe dy vajza të tjera. Mësohet se policia po bën tentativa për të krijuar një identikit të personit që mendohet se mund të ketë rrëmbyer vogëlushen. Sipas dëshmisë së gjyshes së Bleonës, një person i veshur me xhup të zi ka ndjekur nga pas vajzat teksa po shkonin të kullotnin bagëtitë. Në Zapod ndodhen dhe ekspertë të Policisë së Shtetit, ndërsa janë vënë në punë edhe shërbimet e inteligjencës.

5 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›