E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qiratë e lokaleve, kriza bën të ulen deri në 15 për qind

Në tre muajt e parë të vitit, qiratë e objekteve për veprimtari biznesi kanë rënë në 15%

Ervin KOÇI

Qiratë e objekteve të biznesit në kryeqytet kanë ndryshuar shumë brenda një viti. Nga qendra drejt periferisë qiratë kanë ardhur duke u ulur, në një kohë që një zhvendosje ka pasur edhe nga kompanitë apo subjektet që deri dje preferonin qendrën. Raportet e ndryshme që gazeta “Albania” ka mbledhur dje nga disa agjenci imobiliare në kryeqytet, ku që të gjithë konvertonin në një pikë, flisnin për një zhvendosje të subjekteve private drejt zonës së Laprakës apo Kinostudios, aty ku dhe çmimet e qirave të lokaleve janë më të lira. Sipas agjencive, çmimet e qirave të lokaleve dhe objekteve të ndryshme në kryeqytet kanë rënë. Sipas specialistëve të agjencive imobiliare, “kriza e ka prekur rëndë dhe sektorin e qirave, ku në shumë qendra biznesi në qendër të kryeqytetit shumë kompani apo subjekte private janë larguar pasi nuk i përballonin ato duke u larguar drejt periferive dhe zonave më të lira”. Kjo gjë ka bërë që shumë subjekte që lëshonin ambiente me qira, të detyrohen t’i ulin disi ato pasi mungesa e klientëve dhe mospërdorimi për një kohë të gjatë i ambienteve u ka shkaktuar shumë humbje. Sipas informacioneve, në tre muajt e parë të vitit 2010, qiratë e objekteve për veprimtari biznesi kanë rënë nga 10-13 për qind në qendër të kryeqytetit dhe në zonat më të frekuentuara. Aktualisht zonat e biznesit në kryeqytet ndahen në disa kategori dhe sipas tyre variojnë edhe çmimet e qirave.

Çmimet
Indeksi i qirasë së banesave u ul me 12.3 për qind në terma vjetore, në 3-mujorin e parë të këtij viti, në një kohë që një vit më parë kishte pësuar rënie me 4.9 për qind në tremujorin e katërt të vitit. Në krahasim me 3-mujorin e mëparshëm ky indeks ka pësuar një rënie të lehtë, 0.4 për qind. BSH-ja vëren se raporti i indeksit të çmimeve ndaj qirasë së banesave, është ulur më tej në tremujorin e parë të vitit 2010. Prirja rënëse e këtij treguesi ka nisur që në tremujorin e tretë të vitit 2009. Në kryeqytet, sidomos për ambiente tregtare në zonat e shtrenjta, si Blloku, stadiumi "Qemal Stafa" apo pranë Radio-Televizionit Shqiptar, kërkesa është gjithnjë e lartë dhe çmimet gjithashtu, janë të shtrenjta. Agjencitë imobilare vlerësojnë se çmimet ndryshojnë nga zona në zonë, por mesatarisht mund të thuhet se qiratë mujore të zyrave, luhaten nga 10-25 euro/m2, të dyqaneve deri në 35 euro/m2, ndërsa për banesat llogaritet një çmim rreth 4-5 euro/m2 në muaj. Këto nivele çmimesh kanë mbetur pa lëvizur gjatë 2-3 viteve të fundit. Çmimet më të larta, për sa u takon qirave në tregun imobilar, i paraqesin dyqanet. Edhe midis tyre, më të shtrenjtat ofrohen nga qendrat tregtare. Për një ambient tregtar prej 25-30 metrash katrorë në një qendër tregtare të Tiranës, mesatarisht qiraja është 800-1000 euro në muaj. Por mbi 1000 euro paguajnë edhe dyqanet e rrugëve të njohura tregtare të kryeqytetit.

Imobiliaret
Luhatjet e mëdha të çmimeve në shitje dhe në qiratë e pronave të patundshme, që janë ulur ndjeshëm në rrethe si pasojë e rënies së fuqisë blerëse, në një kohë që në kryeqytet ato vazhdojnë të mbeten të larta. Por ekspertët e sektorit imobiliar e konsiderojnë ndër të tjera këtë treg edhe të çorientuar si pasojë e luhatjeve të mëdha që janë krijuar nga zhvlerësimi i lekut ndaj valutave të huaja. Sipas studimit më të fundit të bërë nga Banka e Shqipërisë për këtë sektor, në 3-mujorin e parë të vitit 2010, indeksi i çmimit të banesave, u rrit me 9.2 për qind në krahasim me një vit më parë; ndërsa ra me 5.7 për qind në krahasim me 3-mujorin e mëparshëm. Rritja e çmimeve për vitin 2010 duket se vjen si pasojë i zhvlerësimit të lekut në tregun e këmbimit. Duke qenë se banesat shiten në euro dhe blerësit i kanë të ardhurat në lekë, çmimi i tyre është rritur këtë vit automatikisht vetëm nga efektet e kursit të këmbimit, ku monedha evropiane ka fituar shumë pikë ndaj monedhës vendase lekut. Rritja vjetore gjatë këtij 3-mujori përbën një pikë kthese në prirjen rënëse të indeksit të çmimit të banesave, e cila ka filluar që në 3-mujorin e katërt të vitit 2007. Gjatë dy 3-mujorëve të kaluar ky indeks kishte pësuar rënie përkatësisht me 4.3 dhe 0.9 për qind.

5 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›