“National Geographic”: Shqipëria, e përshtatshme për turizëm “të egër”
Agjencia prestigjioze “National Geographic” në një raport të sajin për turizmin në vendet e Ballkanit Perëndimor e ka cilësuar Shqipërinë si një vend ku mund të zhvillohet turizmi i aventurës duke e emërtuar si “turizëm të egër”. Sipas kësaj agjencie e cila po përgatit një pasqyrim të zonave më të bukura për turizëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në revistën “National Geographic”, në Shqipëri mungesa e një infrastrukture të mirë, i lë me tepër vend hapësirave të “egra” të maleve dhe bregdetit të virgjër. Lokalitetet më të mira turistike të vendeve të Ballkanit do të publikohen në një edicion të posaçëm të revistës së njohur “National Geographic”. Lajmin e bëjnë të ditur agjencitë ballkanase, sipas të cilave në revistë do të prezantohen vendet më të bukura të Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Bosnjës dhe Kosovës. Përmes këtij prezantimi, të mundësuar nga agjencia amerikane USAID, lexuesve të revistës do t’u propozohet të vizitojnë lokalitete të pasura turistike dhe kulturore të vendeve të rajonit.
Prifti, prezanton strukturën e re të Ministrisë së Ekonomisë
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka ndryshuar strukturën e saj në funksion të një punë më eficiente. Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, prezantoi dje strukturën e re përpara anëtarëve të kabinetit, drejtorëve të përgjithshëm dhe përgjegjësit e sektorit në ministri. “Ministri informoi mbi ndryshimet që do të sjellë kjo strukturë në funksionimin e punës në ministrinë e Ekonomisë, ndryshime që synojnë t’i japin një hov të ri reformave që po ndërmerr dhe do të ndërmarrë në të ardhmen ky dikaster”,- njofton Zyra e Shtypit e METE-s. Gjithashtu, ministri Prifti ka kërkuar nga stafi, drejtorët e përgjithshëm dhe përgjegjësit e sektorëve angazhim dhe devotshmëri në përmbushjen e detyrës, me qëllim që objektivat e synuara të përmbushen, si dhe i ka uruar suksese dhe punë të mbarë të gjithëve. Ndryshimet në strukturën e ministrisë kanë të bëjnë me reformat në sektorë të ndryshëm, si atë energjetik dhe atë minerar. Ndërsa një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe zhvillimit të biznesit.
Rënie e euros në krahasim me dollarin
Monedha evropiane, euro, ka shënuar një rënie të konsiderueshme në tregjet financiare botërore, duke shënuar vlerën më të ulët të saj në katër vitet e fundit. Vlera e euros në bursat evropiane ka rënë në 1.20 dollarë, që shënon vlerën më të ulët në katër vitet e fundit. Vlera më e ulët e euros në raport me dollarin ishte regjistruar në mars të vitit 2006, kur euroja kishte vlerën prej 1.19 dollarësh. Njëkohësisht, në Evropë ka rënë edhe vlera e funtës britanike, nga 1.4633 në 1.4560, ndërsa dollari ka shënuar një rritje të vogël në krahasim me jenin japonez – nga 92.66 në 92.68.
5 Qershor 2010