E Shtunë, 31 Tetor 2026

Megi, e vrarë pa faj në prag martese

Lindita Çela / Flamur Vezaj / Dashamir Biçaku

Edhe pak kohë i mbetej që dashuria e saj të shpallej në altarin e shenjtë të martesës. Megi Jokiçi vajza e vrarë të enjten në mbrëmje në Tiranë, po përgatitej për ngjarjen më të rëndësishme të jetës: martesën. Ajo bashkëjetonte me të fejuarin e saj, me të cilin do të martohej pas pak muajsh. Ishte ndarë dhe data e martesës. Të enjten Megi kishte dalë për të pirë një kafe me të fejuarin e saj në zonën tregtare pranë rrugës Komuna e Parisit. Duhej të ishte një mbrëmje e zakonshme. Secili prej nesh mund të ishte në atë orë duke kaluar në rrugë  në punë të vet, ose duke u kthyer nga një kafe. Megi nuk u kthye më e gjallë në shtëpi. I ati, Miloshi dhe e ëma Hermolina, prisnin ta përcillnin të veshur me të bardha, por jetojmë në Shqipëri. Prindërve zemër-copëtuar dje u është dashur ti japin vajzës 25 vjeçare lamtumirën e fundit.

Megi kishte përfunduar studimet me nota të shkëlqyera dhe ushtronte profesionin e stomatologes në një klinikë dentare. Shuarja e jetës në moshën më të bukur dhe absurditeti i rrethanave të ngjarjes ka ngjallur irritim jo vetëm te të afërmit e saj, por edhe te çdo banor i zonës ku jeton familja Jokiçi. Në rrugën Don Bosko, aty ku jeton familja e 25 vjeçares, për Megin të flasin veç mire. Njihej si një vajzë e qeshur dhe plot jetë. Të afërmit e kanë të pamundur të flasin në këto momente të dhimbjes. Një prej pjesëtarëve në mort na thotë diçka që të bën të mendosh sa të pasigurtë jemi të gjithë në këtë vend: viktima ishte e afërt e bashkëshortes së vetë zv.ministrit të Brendshem, Ferdinand Pone.

Një i afërt tjetër në mort na tregon për gjendjen e rëndë shpirtërore të të fejuarit, me të cilin ishte në makinë, kur plumbi qorr e ka marrë në nofull dhe në kokë. Ai i ka thënë vajzës Megi, ule kokën, kur kanë nisur krismat. Ka dëgjuar më pas vetëm një oh dhe kur është kthyer nga Megi, e ka parë me kokën e përkulur përpara, të goditur nga plumbi. Kur ka tentuar ta prekë, ka prekur gjak dhe nofullën e copëtuar të vajzës që do ishte bashkëshortja e tij për gjithë jetën.

Vrasja e laborantes, hetime për konfliktin me një femër tjetër

Policia e Tiranës, ende nuk ka një version zyrtar, në lidhje me motivet për vrasjen e laborantes dentare Eleni Basho dy ditë më parë në Shkozë, edhe pse të gjitha pista hetimore lidhen me njerëz të afërt të viktimës. Hetimet e policisë janë përqendruar në pista që nisin nga krimi që ka lidhje me pasionin dhe xhelozinë e deri tek një konflikt pronësie në lidhje me një biznes në të cilin i shoqi ishte përfshirë. Madje mbrëmjen e të enjtes dhe gjatë natës policia ka verifikuar edhe një problem borxhi që duhej të merrte Eleni Basho dhe bashkëshorti i saj, Ilia, nga ish- ortaku i tyre, Ilir B. Policia e kryeqytetit shoqëroi në ambientet e saj Ilia Bashon me profesion ekonomist, si dhe ish- ortakun e tyre në një kompani të materialeve dentare. Ortaku po e shlyente rregullisht borxhin dhe tashmë kishin mbetur edhe 50 mijë euro.

Disa muaj më parë, Eleni Basho dhe i shoqi, Ilia Basho, ishin shkëputur nga ortakëria e tyre e biznesit me tregtarin Ilir B, me të cilin kishin pasur një depo për tregtimin e materialeve dentare, dhe kishin dalë në një biznes më vete. Për këtë shkëputje mësohet se ortaku iu detyrohej bashkëshortëve Basho, një shumë të konsiderueshme parash. Burime të Shekullit, thanë se të gjitha borxhet dhe veprimet financiare ishin kryer në emër të Eleni Bashos, e cila kishte qenë zyrtarisht ortake në biznes me Ilir B. Ky i fundit iu ka pohuar hetuesve se kishte shkuar gjithmonë mirë me çiftin Basho dhe nuk kishin pasur probleme.

Kur gjithçka është sqaruar, hetuesit nisën kërkimet e tyre duke ngritur dyshimet nëse gruaja mund të ishte vrarë gjatë një grabitjeje të mundshme. Ky dyshim i hetuesve ka rënë poshtë paraprakisht nga hetuesit. Kjo pasi në vendin e ngjarjes, pranë trupit të gruas së vrarë është gjetur çanta, sende të saj personale, si dhe një sasi e konsiderueshme vlere monetare në euro.

Kur edhe ky dyshim i hetuesve ka rënë poshtë në mënyrë paraprake, policia nga  ngritur pistën një konflikti të mundshëm familjar, apo që lidhet me motive të dobëta. Hetuesit kanë mësuar se gruaja ishte e respektuar dhe se nuk kishte probleme me karakterin apo me marrëdhënie jashtë martesore. Kjo ka hedhur poshtë mundësinë e një vrasjeje për xhelozi nga bashkëshorti. Hetuesit mësohet se kanë pyetur bashkëshortin e viktimës nëse ai kishte pasur apo kishte ndonjë lidhje jashtë martesore, pyetje së cilës ai i është përgjigjur me një jo të prerë. Pavarësisht kësaj hetuesit, pritet të verifikojnë një fakt të tillë. Burime të policisë flasin për një konflikt që gruaja e Bashos, e ndjera Eleni Basho, ka pasur me një femër në kryeqytet, pranë një qendre tregtare në rrugën e Kavajës, ku ka qenë i vendosur dyqani i familjes Basho. Hetuesit ende nuk e kanë të qartë këtë situatë nëse ajo ka të bëjë me ndonjë konflikt të viktimës me këtë femër për çështje pune, apo për ndonjë marrëdhënie të mundshme të bashkëshortit të saj me këtë femër, identiteti i së cilës nuk dihet.

Vrasja e Jokiçit, zbardhet skena e krimit

Policia e Tiranës ka zbardhur dje të gjithë skemën e ngjarjes që i mori jetën kalimtares 25 vjeçare, e cila ndodhej krejt rastësisht në vendin e ngjarjes, në zonën e njohur si Komuna e Parisit. Sipas policisë, objektiv i atentatit kishin qenë i plagosuri Aleksandër Gocaj ose miku i tij Gentian Mara. Ky i fundit është bërë i njohur për shkak të lidhjes që ka me vajzën e spektakleve Ingrid Gjoni. Edhe pse i plagosuri është Aleksandër Gocaj dhe Gentian Mara nuk mori asnjë plagë, policia ende nuk ka mundur të identifikojë se cili prej këtyre dy personave ishte objektivi i atentatit.

Të dy këta persona ndodheshin në një fuoristradë me targa TR 6116 U duke dalë nga një parking nëntokësor. Në momentin që ata kanë dalë në rrugën kryesore, u ka dalë përpara një automjet Mercedez- Benz, me targa të Tiranës. Një person që ka dalë nga vetura i ka bërë me shenjë që të ndalojnë dhe fuoristrada ka ulur shpejtësinë. Hetuesit pohuan se Mara dhe Gocaj nuk kanë mundur të shohin njeriun që u kishte dalë përpara për shkak të errësirës së natës, shiut, por edhe faktit që ai mbante një kapele me strehë në kokë dhe jaka e xhupit i vinte deri tek hunda.

Ai ka nxjerrë një automatik dhe në këtë moment, sipas dëshmive të dhëna në polici, Gentian Mara i ka kërkuar shoferit që të shtonte shpejtësinë pasi mund ti vrisnin. Shoferi ka shtuar shpejtësinë dhe në këtë kohë personi që u kishte zënë rrugën ka hapur zjarr. Disa prej plumbave kapën makinën duke shkaktuar plagosjen e Aleksandër Gocajt. Por plumbat e tjerë kanë rënë në krahun tjetër të rrugës ku ndodhej viktima Megi Jokiçi. Ajo ndodhej në makinë duke pritur një shoqe dhe nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjen.

Gjatë marrjes së deklarimeve të dëshmitarëve të ndryshëm, policia mësoi se njeriu që qëlloi ndaj fuoristradës ishte një person me një kapele të zezë me strehë dhe me një xhup, i cili ishte i mbërthyer deri tek hunda për të fshehur sa më shumë atentatorin. Në largim e sipër mjeti me të cilin udhëtonin Gocaj dhe Mara, është përplasur me një veturë tjetër, ndërsa atentatorët ishin larguar. Të dëmtuarit i kanë pohuar policisë se nuk e kishin njohur njeriun që i qëlloi.

Vrasja në Shkozë, dëshmia e fqinjës që gjeti trupin e Elenit

Dyert e shtëpisë së Eleni Bashos janë të mbyllura. E tërë familja që pa gdhirë është nisur në drejtim  të Gjirokastrës ku të afërmit do i japin lamumirën e fundit. Është qyteti ku ka lindur. Ekzekutimi i nënës së dy fëmijëve veç misterit ka lënë pas heshtjen dhe tronditjen e tërë banorëve të zonës

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›