Mbrëmje krimesh në Tiranë, vriten gra!
Dy krime makabre kanë përgjakur mbrëmjen e djeshme duke i marrë jetën dy femrave në rethana tepër misterioze. Viktima e parë është një laburante dentare 35 vjeç, e cila është ekzekutuar vetëm 30 metra larg banesës së saj në lagjen Shkozë të Tiranës. Dy orë më vonë, një vajzë 25-vjeçare u vra teksa po udhëtonte në makinë edhe pse nuk kishte lidhje me ngjarjen. Ajo mori një plumb kallashnikovi në nofull nga një person i paidentifikuar që donte të vriste dike tjetër, por goditi makinën e viktimës.
Ngjarja e parë
Eleni Basho, 35 vjeçe nga Gjirokastra, banuese në lagjen Shkozë të Tiranës, u qëllua tri herë me pistoletë në trup jo shumë larg shtëpisë së saj, -pranë ish-Uzinës së Autotraktorëve në Tiranë. Ngjarja ndodhi në orën 18:30 dhe gruaja vdiq pak minuta më pas. Policia mbërriti në vendin e ngjarjes ku gjeti vetëm tre gëzhoja dhe asnjë të dhënë tjetër për autorët. Në lidhje me këtë ngjarje, policia tha se ende nuk kishte ndonjë pistë. Ende nuk dihet motivi i krimit, ndërsa policia mësohet se ka punuar për të marrë në pyetje edhe pjesëtarët e familjes së gruas për të sqaruar probleme të mundshme që mund të ketë pasur viktima. Sipas policisë, gruaja po kthehej nga puna në shtëpi.
Ngjarja e dytë
Rreth dy orë më vonë, në zonën e njohur si “Komuna e Parisin” ndodhi vrasja e dytë. Dy persona i kishin zënë pritë shtetasit Aleksandër Gocaj dhe në momentin që ai është afruar kanë hapur zjarr me Kallashnikov. Një nga plumbat ka plagosur Gocajn në krah. Por plumbat e therë kanë goditur një makinë që kalonte rastësisht aty. Nga të shtënat, mbeti e plagosur rëndë në mjekër, Megi Jakiçi, 25 vjeç, e cila u dërguar me urgjencë në spital. I fejuari i saj që ndodhej me të në makinë nuk mori plagë. Sipas dëshmitarëve, autorët kanë tentuar të largohen me një makinë, por disa qindra metra më pas kanë pësuar një aksident. Në këtë moment kanë braktisur makinën dhe kanë ikur në këmbë.
Ndërkohë gjendja e vajzës 25 vjeçare është përkeqësuar në spital. Rreth orës 00:30 vajza ndërroi jetë si pasojë e shokut hemorragjik. Mjekët thanë se Megi Jakiçi kishte pasur hemoragji, të cilën nuk kishin mundur të e ndalonin. Ndërkohë gjendja e Aleksandër Gocajt, sipas mjekëve, është jashtë rrezikut për jetën.
