Keqtrajtimi i të miturit, Prençi ndëshkon krerët e policisë së Dibrës
Tiranë – Menjëherë pas publikimit të rastit së keqtrajtimit të një të mituri nga policia e Dibrës kanë ardhur edhe ndëshkimet disiplinore në radhët e uniformave blu atje. Kështu komisar Pavlin Zhivani, me detyrë shefi i Seksionit të Parandalimit të Krimit dhe Policimit në Komunitet, dhe nënkomisar Admir Trupja, me detyrë specialist për Hetimin e Krimeve të Lehta, në Komisariatin e Policisë Dibër, marrin masën disiplinore të “Pezullimit pa pagesë për 30 ditë”. Komisar Xhezair Hoxha, me detyrë, shefi i Seksionit të Rendit dhe Sigurimit të Objekteve, kryeinspektor Sinan Merdini dhe Fatmir Ndreu, me detyrë, Përgjegjës Grupi, në Seksionin e Rendit dhe Sigurimit të Objekteve, në Komisariatin e Policisë Dibër marrin masën disiplinore të “Shtyrjes së afatit të gradimit për 12 muaj”.
Gjithashtu, ndaj Drejtues Fran Rica me detyrë zëvendësdrejtor për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Dibër dhe Kryekomisar Aledin Omuri, me detyrë shefi i Komisariatit të Policisë Dibër ka filluar ecuria disiplinore. Masat disiplinore u bënë publike dje nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shteti Ahmet Prençi gjatë një konference të përbashkët me Avokatin e Popullit, Ermir Dobjani. Gjithçka e ka zënë fill pas dhunës së ushtruar ndaj një 15-vjeçarit që sipas familjarëve të tij është kryer nga punonjësit e policisë së komisariatit të Peshkopisë. Ngjarja e cila ka ndodhur në 7 prill të këtij viti, ku 15- vjeçari, E. Ll., është hedhur nga dritarja e katit të tretë nga ambientet e Komisariatit të Policisë së Qarkut të Peshkopisë. “Duke marrë shkas nga rasti i 15-vjeçarit në Peshkopi, ne kemi dërguar inspektorët tanë, të cilët kanë verifikuar pretendimet e familjarëve të 15 -vjeçarit, të cilët akuzonin disa punonjës policie për veprime në kundërshtim me ligjin”, -tha Dobjani. Avokati i Popullit ka konstatuar shkelje ligjore dhe administrative lidhur me të drejtat dhe detyrimet e punonjësve të policisë për shoqërimin dhe pyetjen e shtetasve në polici, si dhe regjistrimin e tyre në librin e personave të shoqëruar. Për këto arsye Avokati i Popullit i ka rekomanduar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë që “ngjarja të analizohet me objektivitet dhe të fillohet procedimi disiplinor, që të rezultojë me masa disiplinore ndaj punonjësve të policisë që kanë kryer shkelje. Ka qenë i menjëhershëm reagimi i Policisë së Shtetit i cili ka dhënë masat disiplinore për disa punonjës të policisë së Peshkopisë. “Në lidhje me rastin e 15 vjeçarit E. Ll., në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Dibër janë dërguar inspektorët e Drejtorisë së Standardeve Profesionale, të cilët kanë verifikuar veprimet e punonjësve të policisë. nga verifikimet e bëra është konstatuar se gjatë shoqërimit dhe marrjes në pyetje të 15-vjeçarit E. Ll., janë kryer disa shkelje ligjore dhe administrative”, -u shpreh Prençi.
22 Prill 2009