Durrës, gjendet i vdekur 25-vjçari
Sipas policisë, Olsi Shabani njihej si përdorues i rregullt droge. Dyshohet për overdozë
Durrës-Ka përfunduar tragjikisht jeta e një 25-vjeçari në Durrës, që njihej si përdorues i rregullt droge. I riu Olsi Shabani, është gjetur i vdekur në afërsi të ish- burgut të Durrësit, vend që njihet edhe si 'strehë' e përdoruesve të drogës. Sipas burimeve policore, ai është gjetur në orën 13.15, nga kalimtarë të rastit, në lagjen nr 9 të qytetit, pas Mauzoleumit të Dëshmorëve. "Viktima është banor i lagjes nr 17 të Durrësit, ndërkohë që bëhet e ditur se ai ishte larguar një natë më parë nga shtëpia e tij",- thonë burimet policore. Sipas tyre, 25-vjeçari Shabani është dërguar në morgun e spitalit të Durrësit, rreth orës 14.30, ndërsa identifikimi i tij është bërë pas një ore. "Viktima u gjet në një grup ndërtesash të vjetra, aty ku ka qenë burgu i vjetër i qytetit të Durrësit",- thonë burimet policore. Sipas tyre, ai njihej si përdorues i rregullt droge dhe një nga arsyet e vdekjes së tij mund të ketë qenë pikërisht kjo gjë. Nga ana tjetër, nga të dhënat e para të ekspertizës që ka bërë grupi hetimor, mendohet se 25-vjeçari ka vdekur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, duke e kaluar natën në shtëpi të vjetra të braktisura në këtë lagje. Sipas ekspertëve, edhe ulja e temperaturave ka dhënë ndikimin e vet në humbjen e jetës së të riut. Vendi ku është gjetur i vdekur 25-vjeçari është në skajin tjetër të qytetit, në një distancë prej rreth 3 km nga banesa e tij.