E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata thërret dëshmitarët e akuzës për bandën e Lushnjës



TIRANË - Gjykata e Krimeve të Rënda kërkoi të premten të njihet me dëshminë e dy dëshmitarëve të akuzës në procesin gjyqësor ndaj grupit të dytë të bandës së Lushnjës. Për këtë qëllim, gjykata, përmes një shkrese, i ka bërë dje thirrje dëshmitarëve të prokurorisë të paraqiten javën e ardhshme në seancën gjyqësore ndaj të pandehurve të kësaj bande. Të pandehur në këtë proces janë Arben Boriçi, Rexhep Gina, Afrim Hoxha, Ilir Stergu, Agur Musaku, Erion Cici, të cilët akuzohen për një sërë veprash penale të kryera vite më parë në Lushnjë, mes tyre edhe vrasje, në kuadër të organizatës kriminale. Procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur më 4 maj të vitit të kaluar, por për një vit me radhë gjykata ka shtyrë seancat për arsye te mungesës së avokatëve si dhe preferencave të të pandehurve për trupin gjykues, që është ndryshuar disa herë. Ky është grupi i dytë i të pandehurve të ish- bandës së drejtuar nga Alfred Shkurti, i njohur si Aldo Bare, i cili është në proces gjykimi në mungesë, pasi ndodhet i arrestuar në Turqi. Anëtarët e kësaj bande janë arrestuar në operacione policore të organizuara këto tre vitet e fundit nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë.

Policia dërgon me pranga nga zyra në qeli për korrupsion tatimorin

Gavrosh Papa, 29 vjeç, inspektor i Tatimeve në Pogradec, u arrestua për marrje ryshfeti

I premtoi lehtësira fiskale një biznesmeni kundrejt 400 mijë lekëve

Luan Kondi

Tiranë - Akuza për korrupsion gjatë ushtrimit të detyrës ka vënë dje në pranga një 29-vjeçar, inspektor tatimor pranë degës së Tatimeve Pogradec. Burimet policore thanë për gazetën se pas një operacioni të shpejtë u arrestua në flagrancë Gavrosh Papa.
Operacioni
Sipas policisë, arrestimi i shtetasit Gavrosh Papa u bë nga departamenti për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Shtetit. “I arrestuari, lindur e banues në Pogradec, me arsim të lartë ekonomik, ka qenë me detyrë inspektor tatimor pranë degës së Tatimeve Pogradec”, - thanë burimet zyrtare të policisë. Sipas të njëjtave burime, arrestimi i tij u bë për veprën penale të “korrupsionit pasiv nga punonjës që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal. Nga hetimet paraprake, të kryera me metoda speciale ka rezultuar se shtetasi Gavrosh Papa, duke shfrytëzuar detyrën i ka bërë presion një subjekti për t’i krijuar lehtësira tatimore kundrejt përfitimit prej 400 mijë lekësh. Materialet ndërkaq i kanë kaluar për hetime të mëtejshme prokurorisë, si dhe po hetohet për të dokumentuar veprimtarinë e kundërligjshme të këtij shtetasi.
Rasti
Kjo nuk është hera e parë që policia arreston zyrtarë të Tatimeve. Shtatorin e vitit të kaluar në Tiranë u prangosën me akuzën për marrje ryshfeti disa policë tatimorë. Pesë tatimorët, mes të cilëve edhe ish-shefi i Policisë Tatimore për Tiranën, F. Mallkuçi, 35 vjeç, u arrestuan nga efektivë të Drejtorisë së Luftës Kundër Krimit Ekonomik në flagrancë ndërsa merrnin para nga ekonomisti i një kompanie private. Akuzat në ngarkim të tatimorëve janë provuar përmes filmimeve të bëra dhe përgjimeve, ndërkohë që gjykata vendosi për ta masën e arrestit me burg. Sipas hetimeve të policisë, e cila kishte marrë prej kohësh informacion për aktivitetin e tatimorëve, ata merrnin ryshfet nga një sërë kompanish, duke mundësuar në këmbim fshehjen e të ardhurave dhe për pasojë shmangien e tatimeve.

6 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›