Ceremonia, anija “Iliria” nisi dje lundrimin e parë zyrtar
TIRANË - Anija e Rojës Bregdetare shqiptare “Iliria”, e shoqëruar nga anijet “R-218” dhe “R-221”, kreu dje lundrimin e parë zyrtar, pas ceremonisë së organizuar në Portin e Durrësit, ku ishte i pranishëm dhe kryeministri Sali Berisha. Anija e patrullimit detar “Iliria”, e ndërtuar enkas në kantierin e njërës prej kompanive më të fuqishme dhe më të mëdha të botës, në “Damen Shipyard” në Holandë, në bazë të një marrëveshjeje mes qeverisë shqiptare dhe asaj të Mbretërisë së Holandës, u nis drejt Durrësit më 13 gusht. Anija ka komandant lejtënant Blerim Hoxhën dhe një ekuipazh prej 15 detarësh ushtarakë. “Iliria” do të jetë pjesë e Flotiljes detare të Veriut, më qendër në Kepin e Palit, 12 kilometra në veri të Durrësit. Ajo ka një gjatësi prej 42 metrash dhe shpejtësi maksimale prej 30 miljesh në orë. Anija “Iliria” është anija e parë e klasit “Iliria”, në kuadër të Programit të Modernizimit për pajisjen e Forcës Detare. Ajo do të pasohet nga tre anije të tjera të të njëjtit tip, të cilat do të quhen “Orik”, “Lisus” dhe “Butrinti”.
Iu kapën sasi të vogla të dyshuara si lëndë narkotike, arrestohet
Tiranë - Armand Asllanaj, 24 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, u arrestua pasi është kapur në flagrancë me 15.2 gramë bimë e dyshuar si narkotike e llojit Cannabis sattiva. Në cilësinë e provës materiale iu sekuestrua sasia e dyshuar si lëndë narkotike e ndarë në 4 porcione dhe e ambalazhuar në 4 qese farmaceutike.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.
Vodhën 160 kaloriferë në Qytetin Studenti, ndalohen nga policia
Tiranë – Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit Kundër Vjedhjeve të Tjera pas një pune disa javore, kryen në orën 22:00 të dy ditëve më parë arrestuan në flagrancë shtetasit K. Sh., 15 vjeç, dhe Pashk Ndou, vjeç 20, lindur në Shkodër dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tyre u bë pasi në bashkëpunim me njëri - tjetrin janë autoret e dyshuar të vjedhjes së 160 copë kaloriferë, në godinën 28 dhe 29 të Qytetit Studenti.
6 Shtator 2008