E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdes gjatë shpërthimit të tritolit punonjësi i gurores



POGRADEC- Shpërthimi me eksploziv në një gurore i ka rrëmbyer jetën një punëtori i cili është mbuluar nga masivët e gurëve të malit i cili shfrytëzohet nga një firmë private. Burimet zyrtare të qytetit juglindor bëjnë të ditur se viktima është 49 vjeçari Jonuz Balliu, banues në Pogradec. Sipas policisë ka qenë një aksident dhe pakujdesia gjatë punës që i ka kushtuar jetën Balliut. Ngjarja ka ndodhur në orët e mesditës të së premtes, në guroren e firmës “A.G.E”, teksa po kryhej një shpërthim me lëndë plasëse. Jonuz Balliu, i cili kishte marrë përsipër të kryente edhe realizmin e një shpërthimi për copëtimin e gurëve, ka mbetur i vdekur në vend nga masivët që e kanë kapur poshtë nga një pakujdesi gjatë ndezjes së fitilit të dinamitit. Sipas policisë nga eksplozioni gurët në afërsi të tij janë rrokullisur duke e zënë poshtë, ndërsa 49 vjeçari është gjetur i vdekur nga kolegët. Gurorja ndodhet në zonën e Gurit të Kuq në Pogradec.

Plagosen rëndë dy qytetarë nga rrëzimi i betonierës

ELBASAN - Rrëzohet një betoniere dhe për pasojë janë aksidentuar rëndë dy shtetas. Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme në aksin rrugor Gramsh-Elbasan, në fshatin Cerunjë. Sipas burimeve të policisë, Astrit Kamami, 35-vjeç, me banim në Cërrik ishte duke drejtuar automjetin betoniere me targë EL 7568 B dhe në rrugën e fshatit Cerunjë ka humbur kontrollin duke rënë disa metra poshtë. “Si pasojë e aksidentit është plagosur drejtuesi i automjetit dhe shtetasi D.C, 16-vjeç, i cili ndodhej si pasagjer në automjet”- thanë burimet e policisë. Të lënduarit kanë marrë ndihmën e parë në spitalin e Gramshit. Por, duke parë gjendjen e rëndë shëndetësore ata janë transportuar për në Tiranë. Sipas mjekëve Astrit Kamami dhe 16-vjeçari janë në gjendje të rëndë për jetën.

Arrestohet, vodhi skelat e pallatit në ndërtim

TIRANË – Një 34-vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi ka vjedhur disa skela prej hekuri në një pallat në ndërtim. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Tiranës bëjnë të ditur se ka mbërritur një denoncim në komisariatin Nr. 6 në kryeqytet dhe mbrëmjen e së enjtes, rreth orës 19.00 u krye arrestimin në flagrancë i shtetasit Dritan Ferhati, lindur në Kolonjë dhe banues në Yzberisht. Sipas tyre, 34-vjeçari ka përvetësuar 8 skela hekuri në pronësi të një shtetasi të vjedhura në pallatin në ndërtim, në Unazën e Re. Ai akuzohet për veprën penale të “vjedhjes” dhe “përvetësimit të parave ose mallrave të vjedhura”. Çështja ka kaluar për hetime të mëtejshme në Prokurorinë e Tiranës. Po ashtu, ka rënë në prangat e policisë së kryeqytetit edhe Ditar Çeriani, vjeç 21, lindur dhe banues në Dibër, i dënuar disa herë për vjedhje, pasi ka vjedhur banesën e një shtetasi në zonën e Kamzës rreth një muaj më parë.

6 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›