E Shtunë, 31 Tetor 2026

Precedenti i hemorragjisë së votave të opozitës



Kulmi i akuzave të opozitës për trafikun e votave arriti një vit më parë, gjatë votimeve për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Në atë rast, vendimi politik i opozitës ishte bojkotimi i seancave të votimit për zgjedhjen e presidentit, me qëllim çuarjen e vendit në zgjedhjet e parakohshme. Por ky vendim politik i opozitës u thye nga 6 deputetë të Partisë Socialiste, të cilët morën pjesë në votim dhe deklaruan votën e tyre pro kandidaturës së PD-së, Bamir Topi, për zgjedhjen e tij President të Republikës. Ky trafik votash solli dorëheqjen e kryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së Ben Blushi dhe përjashtimin nga Partia Socialiste të 6 deputetëve: Durim Hushi, Durim Lamaj, Taulant Dedja, Hamit Kosta, Bukurosh Stafa dhe Paulin Sterkaj.

Poda, pse nuk u shpall fitues

Një gafë e Arian Madhit, kryetarit të komisionit të numërimit të votave në Parlament, e shpalli dje fitues kandidaturën e kontestuar nga PD-ja, Zamir Poda, për anëtar të Gjykatës së Lartë. Votimi për Podën ishte 65 vota pro, 62 kundër, 2 abstenim dhe një votë e pavlefshme. Pas shpalljes së këtij rezultati Madhi deklaroi se Kuvendi kishte dhënë pëlqimin për kandidaturën e Podës si anëtar të Gjykatës së Lartë. Por vetëm 20 minuta më pas, administrata kuvendore, por edhe vetë deputeti Madhi, u detyruan të përgënjeshtronin gafën dhe të deklaronin rrëzimin e dekretit edhe për Zamir Podën. Sipas tyre, Poda nuk kishte arritur të siguronte mbështetjen e 50 për qind + 1 të votave të pjesëmarrësve në votim. Vetë deputeti Madhi deklaroi se kishte bërë lapsus për shkak të lodhjes kur deklaroi se dekreti i presidentit për zotin Poda kishte marrë pëlqimin e Kuvendit për të qenë anëtar i kësaj gjykate. “Ju kërkoj ndjesë, por dua t’ju sqaroj se edhe kjo kandidaturë, ashtu si katër të tjerat, nuk ka siguruar pëlqimin e Kuvendit për të qenë anëtar i Gjykatës së Lartë, pasi nuk ka mundur të sigurojë 50% + 1 të votave të të pranishmëve, sikundër parashikon rregullorja e Parlamentit”, - tha Madhi. Kandidatura e Podës ra vetëm për shkak të një vote, pasi nga 130 deputetë që morën pjesë në votim, ai mori vetëm 50% të votave.

18 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›