LSI e Beratit, akuza PS-së për tentativë diversioni
Dega e LSI-së në Berat ka lëshuar akuza të forta ndaj PS-së së Beratit dhe kreut të saj, Selman Hodo, për tentativë diversioni në kurriz të LSI. Në një deklaratë për shtyp, përfaqësues të LSI-së së Beratit denoncuan skemën diversive, që sipas tyre po planifikonte të bënte PS-ja e Beratit. “Ne Këshilltarët dhe Kryetarë të organizatave të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Berat, denoncojmë sot, Kryetarin e Partisë Socialiste të Beratit, Selman Hodo, që në mënyrë të pacipë ka kërkuar të na blejë në emër të Edi Ramës me vende pune dhe deri lekë, për t’u përdorur nesër në një tribunë, ku njerëz të sjellë nga Partia Socialiste, do të bëjnë dhe shtiren sikur largohen nga LSI-ja drejt Partisë Socialiste, duke e akuzuar LSI-në për tradhëti ndaj Edi Ramës.
Duke qenë të qartë dhe të bashkuar, jo vetëm në rrugën e drejtë që po ndjek LSI dhe Koalicioni “E Majta për Integrim”, ne denoncojmë këto prapaskena të turpshme kundër LSI-së dhe kundër opozitës së vërtetë, ku këto tentativa meskine janë vetëm disa nga elementët e Shërbimit që Edi Rama është duke i bërë Sali Berishës për përçarjen e opozitës”, thuhet në deklaratën e drejtuesve të LSI-së së Beratit.
18 Qershor 2008