Konsensus për drejtësinë

Kryeministri Berisha tha se nëse opozita nuk jep konsensus për reformën e tij në drejtësi, atëherë ai do ta vazhdojë atë i vetëm
Duke iu drejtuar deputetëve të tij, kryeministri Sali Berisha tha dje, se ishte i vendosur që ta vazhdonte reformën në drejtësi, pavarësisht se opozita ka deklaruar qartësisht se interesat e saj këtu ndahen nga ato të mazhorancës. Edhe pse vetë kreu i qeverisë nuk e artikuloi qartë këtë, në fjalën e tij la të kuptohej se mazhoranca kishte nevojë për ndihmën e opozitës dhe të të gjitha partive të tjera për të bërë këtë reformë. Kërkesa për konsensus është përsëritur më se një herë edhe nga faktori ndërkombëtar, por shefi i qeverisë duket se nuk ka ndërmend të ndjekë këto udhëzime dhe ndonëse formalisht foli për nevojën e konsensusit, la të kuptohet se nuk e shikon atë si të domosdoshëm. Për të argumentuar fjalën e tij, kreu i qeverisë iu rikthye çështjes së Kodit të ri Zgjedhor, i cili arriti të merrte 112 vota parlamentare duke gjetur një konsensus mjaft të gjerë. “Reformat do të vazhdojnë në sistemin e drejtësisë. Ne do ta vazhdojmë reformën dhe unë e ftoj opozitën, në interesin më të mirë të vendit dhe të të gjitha forcave politike pa përjashtim, që t’i përmbahet paktit të votuar në parlament”, u tha kryeministri deputetëve të tij, edhe pse mesazhi nuk u drejtohej atyre. Duke vijuar më tej, Berisha kërkoi që kjo reformë e rëndësishme të kishte fatin e Kodit të ri Zgjedhor, që arriti të kishte një konsensus të gjerë parlamentar. Sipas Berishës, është gjë e rrallë që vendi të kishte një Kod Zgjedhor të ri tetë muaj para zgjedhjeve. “Pati rëndësi që Kodi Zgjedhor u miratua rreth tetë muaj para zgjedhjeve. Kjo do të bëjë që të punohet, për t’i dhënë vendit infrastrukturën më moderne për zgjedhje, në drejtim të kartave dhe dokumentacioneve, listave të zgjedhësve dhe të zbatimit të kodit”, tha Berisha, për të treguar se është i vendosur për t’u shkuar në fund të gjitha reformave të nisura. Kjo deklaratë e kreut të mazhorancës erdhi pak ditë pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, ku kreu i saj, Edi Rama, bëri të qartë se, me kushtet në të cilat ndodhet kryeministri Sali Berisha, nuk mund të realizohet reforma në drejtësi. “Në rastin e reformës në drejtësi, këtu nuk ka interes reciprok, për shkak se ne jemi të interesuar t’i japim Shqipërisë dhe shqiptarëve një reformë, e cila të garantojë më shumë pavarësi dhe më shumë efektshmëri të sistemit gjyqësor, ndërkohë që Sali Berisha është i interesuar pikërisht kundër pavarësisë, kundër efektshmërisë së një sistemi gjyqësor, me të cilin kryeministri i Shqipërisë dhe klani i tij, qeveria e tij kanë një konflikt të hapur interesi”, tha Rama të shtunën e kaluar, duke treguar në mënyrë të qartë arsyen pse opozita nuk do të bashkëpunonte në këtë pikë. Vetë shefi i opozitës kishte dhënë një përgjigje paraprake, para se kryeministri Sali Berisha të kërkonte që opozita t’i mbahej paktit të drejtësisë. “Ne propozuam një pakt kombëtar për drejtësinë, në frymën e një angazhimi serioz për një reformë radikale në sistemin tonë shoqëror dhe bazuar në orientimet largpamëse dhe afatgjata të BE-së dhe, nga ana tjetër, ndeshëm në vesh të shurdhër. Nga njëra anë ,ne propozuam nevojën e një ligji integral për sistemin e drejtësisë, sepse besojmë që një reformë radikale e këtij sistemi fillon nga pakti kombëtar për drejtësi dhe vazhdon me ligjin integral, e nga ana tjetër, ndeshëm përpjekje për të arnuar, jo në funksion të përmirësimit të sistemit, por në funksion të kontrollit mbi sistemin, gjë që karakterizon jo thjesht një proces të shkëputur, po vizionin e Sali Berishës për mënyrën sesi duhet të funksionojë shteti”, tha Rama, duke shpjeguar se kjo reformë shumë e rëndësishme për vendin, kur forca e tij të vijë në pushtet.