Gjykata vendos 6 muaj burg për Bollanon,kryeministri: Zbatim arkaik e politik i ligjit
VLORE/ QEMAL BIRAKU
Gjykata e Vlorës shpalli dje fajtor kryebashkiakun e Himarës, Vasil Bollano.Pas 16 seancave gjyqësore, trupi gjykues vendosi ta dënojë atë me 6 muaj burg dhe 500 mijë lekë gjobë. Gjithashtu, kreut të bashkisë iu hoq e drejta e ushtrimit të funksioneve publike për tre vjet.
Ashtu sikurse edhe në seancat e mëparshme, as dje nuk ishte i pranishëm i pandehuri, madje as mbrojtja e tij. Gjyqtari i kësaj çështjeje Shkëlzen Selimi, u shpreh se nga shqyrtimi i provave, rezulton se, Bollano ka shpërdoruar detyrën duke urdhëruar heqjen e sinjalistikës rrugore, në aksin Llogara-Qeparo. Sipas Selimit, nga dy urdhra të lëshuara prej tij, janë dëmtuar interesat shtetërore duke shkaktuar një dëm prej 1.8 milionë lekë. Gjykata rrëzoi pretendimet e të pandehurit që tha se, fakti për të cilin akuzohet nuk përbën vepër penale, por urdhrat e dhëna janë në përputhje me atributet e parashikuara në ligjin "Për Organizimin dhe Funksionimin e Qeverisjes Vendore". Kryegjyqtari u shpreh se rrugët kombëtare janë nën administrimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe jo të njësive të qeverisjes vendore. Sipas tij, Bollano ka shpërdoruar detyrën. Në vendimin e djeshëm përcaktohej se, dënimi me heqje lirie, do të kryhet në një burg të sigurisë së ulët, ndërkohë që, shlyerja e detyrimit financiar do të realizohet brenda një periudhe njëvjeçare, nga momenti që vendimi do të marrë formën e prerë.
Në seancën e kaluar, avokati mbrojtës, Petraq Curri, kërkoi pafajësi për kryetarin e Bashkisë së Himarës, duke u shprehur se, akuza ndaj tij, nuk përbën vepër penale. Sipas tij, në kuadrin e një projekti të financuar nga BB-ja në bazë të marrëveshjes, duhej të kishte një leje ndërtimi nga KRRT-ja e Bashkisë. Gjithashtu, avokati mbrojtës, akuzoi prokurorinë, për politizim të çështjes në ngarkim të klientit të tij dhe nacionalizëm, pasi Bollano ishte në krye të organizatës minoritare. Por, ky pretendim, është kundërshtuar në seancat e mëparshme nga prokurori Sokol Malaj e gjykatësi, sipas të cilëve akuzohet si kryebashkiak e jo si kryetar i Omonia-s. Avokati Petraq Curri u shpreh dje nëpërmjet telefonit se do ta ndiqte deri në fund këtë proces, sipas tij politik. Ai theksoi se do ta apelonte vendimin e Shkallës së Parë brenda harkut të 10 ditëve, ashtu siç e parashikon edhe ligji. Derisa vendimi të marrë formën e prerë edhe në Gjykatën e Apelit, policia nuk mund të ndërhyjë për të kryer arrestimin e Vasil Bollanos. Seanca në ngarkim të kryebashkiakut himarjot ka nisur në muajin korrik të vitit të kaluar. Shkak për këtë çështje, janë bërë dy urdhra të lëshuara prej tij, për policinë bashkiake, në muajt tetor dhe dhjetor të vitit 2007, për heqjen e tabelave në gjuhën shqipe, në aksin rrugor Qeparo-Llogora. Përmes këtyre tabelave, evidentoheshin objektet me vlerë historike, arkeologjike e turistike të zonës, mes të cilave, plazhi i Dhërmiut, kalaja e Himarës, kalaja e Porto Palermos etj. Gjatë fazës së hetimit, Bollano ka pranuar se ka urdhëruar heqjen e tabelave në gjuhën shqipe, por ai ka pretenduar se, për vendosjen e tyre, nuk ishte marrë leje nga bashkia. Ai nuk ka pranuar se ka kërkuar të shkruhen dhe në gjuhën greke siç akuzohet. Vasil Bollano, është zgjedhur në krye të Bashkisë së Himarës, për dy mandate radhazi.
Vangjel Dule: Vendimi,nacionalizëm i verbër
Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ka reaguar ashpër dje pas vendimit të Gjykatës së Vlorës për të dënuar me gjashtë muaj burgim kryetarin e Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano. Dule e cilësoi vendimin e kësaj gjykate si obskurantist, i cili bie ndesh me parimet që duhet të zbatojë sipas tij një vend anëtar i NATO-s dhe aspirant për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. “Vendimi na kujton periudha të tjera obskurantiste, kur gjykatat nuk kishin të bënin aspak me nocionin e drejtësisë, por ishin tërësisht në shërbim të politikës. Dhe në këtë rast dhe të një nacionalizmi të verbër, obskurantist”, theksoi Dule.
Vendimi i gjykatës së Vlorës, Berisha mbron Bollanon
Kryeministri Berisha reagon pak orë pasi Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë dha vendimin për dënimin e kryetarit të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano. Në një deklaratë për shtyp kreu i qeverisë mbron kryetarin e shoqatës Omonia, duke deklaruar se zbatimi i ligjeve, që kanë nuanca politike nuk i shërbejnë vendosjes së ligjit. “Kryeministri Berisha, duke mbetur gjithmonë shumë i ndjeshëm ndaj respektimit dhe garantimit të së drejtave dhe lirive të çdo qytetari, si dhe për respektimin e plotë të pavarësisë së sistemit gjyqësor, mendon se interpretime dhe zbatime të ligjeve, të cilat mund të mbartin nuanca politike dhe arkaike, nuk i shërbejnë qëllimit të vendosjes së ligjit”, thuhet në njoftimin për shtyp të zyrës së informacionit në Këshillin e Ministrave. Ky është pozicionimi i parë zyrtar i kreut të qeverisë shqiptare ndaj procesit gjyqësor të nisur pak muaj më parë ndaj kryebashkiakut të Himarës. Por ky qëndrim i tij është diametralisht i kundërt me reagimin ndaj thirrjes së Bollanos drejtuar parlamentit grek që të mos ratifikonte MSA-në mes Shqipërisë dhe BE-së deri sa të plotësoheshin kushtet e minoritetit grek. Berisha i quajti kërkesat e Omonias si klithma ekstremiste, të cilat nuk do të merreshin në konsideratë nga Athina.