Plagoset, i plas granata në duar
KORÇE - Një 50-vjeçar nga fshati Floq i Korçës mbeti dje i plagosur rëndë në tentativë për të hedhur në erë një bunker me lëndë plasëse. Njëra prej tyre i ka shpërthyer në dorë, duke i dëmtuar të dyja duart dhe fytyrën. Në gjendje të plagosur Ridvan Rakiti ka mundur të zbresë i vetëm në fshat dhe të kërkojë ndihmë. Ai është dërguar menjëherë në spitalin e Korçës nga ku mësohet se gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetën. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur tek bunkerët e vendosur në shpatet e Malit të Kuq, afër me kufirin grek. Dje, Rakipi, kishte shkuar për të nxjerrë hekur nga bunkerët, me të cilin do të ndërtonte shtëpinë e re. Si mjet për të realizuar shpërthimin e betoneve të bunkerëve kishte marrë disa kapsolla. Por teksa ishte duke u munduar që të hapte mbushjen e saj kapsolla i shpërtheu, duke e plagosur atë rëndë në duar e fytyrë. Pas plagosjes, viktima ka mundur të shtrëngojë krahun me këmishën që mbante të veshur dhe më pas me shumë vështirësi i është afruar fshatit të tij. Bashkëfshatarët që e ndeshën në rrugë e çuan të plagosurin në spitalin e Korçës, ku iu krye ndërhyrje e shpejtë kirurgjikale. Sipas mjekëve, njërën dorë e ka dëmtuar fare, ndërsa tjetrës i mungojnë disa gishta. Plagë të lehta ka marrë edhe në fytyrë. Mjekët kirurgë pas operacionit u shprehën se nëse do të kishte vazhduar hemorragjia edhe për disa minuta, 50–vjeçari do të kishte gjetur vdekjen. j.gj