E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata vendos hapjen e sinjalit për Shijak TV

31/03/2005  Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka urdhëruar ditën e djeshme hapjen e sinjalit të transmetimit për kanalin televiziv Shijak TV. Në këtë mënyrë, gjykata rrëzon vendimin e Këshillit Kombëtar të Radiotelevizioneve që ndërpriste transmetimet e TV Shijak, me pretendimin se ka piratuar filma dhe programe të ndryshme artistikë. Në vendimin e saj gjykata urdhëron që TV Shijak, duke nisur nga ora 00.00 e ditës së sotme, të fillojë transmetimet normale, duke kërkuar që të respektohen normat ligjore në fuqi. Ndërkohë, me anë të vendimit, gjykata i kërkon KKRT-së që të marrë masa të tjera ndëshkimore për Tv satelitor Shijak, por që nuk prekin në mënyrë të drejtpërdrejtë transmetimet e këtij televizioni. TV Shijak u mbyll rreth tri javë më parë nga Policia Tatimore, me urdhër të KKRT-së, e cila bllokoi pajisjet e televizionit privat, i pari i hapur në vendin tonë më dhjetor 1995. Drejtuesit e TV Shijak janë shprehur se KKRT ka marrë një vendim të padrejtë dhe arbitrar për heqjen e licensës dhe mbylljen e televizionit. Sipas tyre, KKRT në rast se ishte e bindur në vendimin e saj, mund të përdorte masa të tjera ndëshkimore siç janë gjobat, të cilat parashikohen dhe në ligj. Por, KKRT-ja preferoi që të ndërmerrte hapin ekstrem, atë të ndërprerjes së transmetimeve për këtë televizion.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›