Asambleja mblidhet për krizën ekonomike
Socialistët do të mbledhin sot Asamblenë Kombëtare, e cila ka vetëm një çështje në rendin e ditës, gjendjen ekonomike në vend dhe krizën që pritet të thellohet nga fillimi i vitit të ardhshëm. Anëtarët e Asamblesë Kombëtare socialiste do të mblidhen në orën 11:00 në ambientet e “Xibrakut”, në periferi të kryeqytetit ku në qendër të mbledhjes do të jetë një fjalim i kryetarit socialist Edi Rama, i cili pritet të deklarojë rreziqet që i vijnë ekonomisë shqiptare që nga 1 janari 2010, si pasojë e rritjes së çmimeve, por dhe cenimit të autonomisë së Pushtetit Vendor. Ekonomistë të selisë rozë do të prekin çështje të veçanta të kësaj situate, ndërsa politikisht kjo krizë favorizon opozitën, e cila në janar do të gjendet në pikun e reagimit të saj me anë të protestave për hapjen e kutive dhe çështjet e autonomisë së Pushtetit Vendor.