E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita të lexojë deklaratën e KIE-së

Topalli

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka reaguar dje në një linjë me Ilir Rusmalin në lidhje me rezolutën e Byrosë së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Sipas Topallit, nuk duhet të dramatizohet deklarata e Strasburgut, pasi i drejtohet opozitës. Ka qenë më shumë një interpretim sipas mazhorancës dhe jo një angazhim për të zbatuar kërkesën e Europës, qëndrimi i Kryetares së Kuvendit, e cila dje ka mbledhur në një takim dhe pjesëtarët e mazhorancës që do të marrin pjesë në Komitetin Parlamentar të Stabilizim-Asocimit ndërmjet Shqipërisë dhe Parlamentit Europian që zhvillohet në Bruksel më 3 dhe 4 maj. Kështu, në zyrën e Topallit kanë qëndruar për më shumë se 1 orë deputetët: Fatos Beja, Aldo Bumçi, Viktor Gumi, Mesila Doda, Gent Strazimiri etj., që përfaqësojnë mazhorancën në Komitetin e Stabilizim-Asocimit. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e ka falënderuar Këshillin e Europës dhe Asamblenë Parlamentare të tij, për vëmendjen dhe përkushtimin e këtij institucioni “me të cilin Parlamenti i Shqipërisë ka raporte bashkëpunimi shumë të mira të jashtëzakonshme në funksion të demokracisë dhe në funksion të proceseve integruese”, sipas Topallit. Kryeparlamentarja Topalli, deklaratën e KiE e konsideroi dashamirëse për Shqipërinë, pasi sipas saj, i bën thirrje të hapur opozitës t’i rikthehet jetës parlamentare. “është një deklaratë që është në të mirën e Shqipërisë që kërkon që opozita të jetë pjesë e punimeve parlamentare, në komisionet parlamentare, në seancat parlamentare, në punën e ligjvënësve, e ligjbërësit, në funksionin e tyre të kontrollit parlamentar dhe në të gjitha detyrimet që jep mandati i tyre në shërbim të popullit”. Topalli është shprehur se e mbështet fuqishëm këtë deklaratë, pasi është bërë në të mirë të integrimit të vendit, në të mirë të liberalizimit të vizave. Të gjithë sipas saj duhet ta lexojnë drejt atë. “E mbështes fuqishëm këtë deklaratë, uroj që ta lexojnë me sinqeritet, siç është për t’u lexuar, ashtu siç është për t’u parë, se kujt i drejtohet, individualisht me një thirrje të qartë, me një thirrje dashamirëse vetëm në të mirë të shqiptarëve, të Shqipërisë, të proceseve demokratike, të procesit të liberalizimit të vizave dhe të proceseve të tjera të integrimit të vendit tonë në Bashkimin Europian”, theksoi Topalli. Jemi në një moment sfidash, theksoi ai, Shqipëria është në pritje të vendimeve të mëdha që kanë lidhje me ngjarje të jashtëzakonshme dhe me aspiratën shumëshekullore të vendit tonë. “është rasti që partia më e madhe opozitare t’i përgjigjet kësaj aspirate të kombit shqiptar, të votuesve të tyre dhe të prirjes për të cilën 96% e shqiptarëve e kërkojnë, e duan, e kanë qëllim, e kanë objektiv”, këmbënguli ajo.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›