Berisha: Transparencë sipas hapësirave ligjore
Ekzistojnë të gjitha mundësitë ligjore në vend për të pasur një transparencë të plotë të zgjedhjeve parlamentare të qershorit të shkuar. Kjo ishte deklarata që bëri dje Kryeministri Sali Berisha në një prononcim për mediat gjatë ceremonisë së përkujtimit në mjediset e Bibliotekës Kombëtare të librit të Ismail Malosmanit, në lidhje me raportin e Byrosë së Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Europës për situatën politike në vend.
Deklarata“Mund të ekzistojnë të gjitha mundësitë ligjore për të bërë një transparencë të plotë të zgjedhjeve, nëse ndahemi nga inatet dhe Parlamenti nga ana e tij e ka disponibilitetin për ta bërë atë”, theksoi Berisha. Sipas tij, në raportin e saj kjo Byro ishte konsekuente e thirrjeve të tjera të bëra më parë në lidhje me gjetjen e një zgjidhjeje kushtetuese për transparencën e zgjedhjeve të kaluara. Në këtë kuadër, kreu i qeverisë theksoi se ishte e udhës që opozita në lidhje me kërkesat e saj t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese dhe më pas Komisionit të Venecias. Sipas Berishës, një përgjigje nga këto institucione do të sillte zgjidhje për situatën e krijuar në vend. Nga ana tjetër, Kryeministri Berisha foli edhe për 10 emrat e rinj të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë që priten t’i dorëzohen Parlamentit nga ana e Presidentit Topi. Sipas Berishës, Kushtetuta i jep të drejtën Presidentit të përcaktojë këto kandidatura, por nga ana tjetër është Parlamenti ai i cili ka të drejtën përfundimtare për pëlqimin e tyre. Nga ana tjetër, Kryeministri Berisha i quajti të drejta dhe normale procedurat ligjore për zgjidhjen e këtyre kandidaturave, duke lënë të kuptohej se ai nuk ishte dakord në lidhje me propozimin e ardhur nga Partia Socialiste për zgjedhjen e këtyre kandidaturave me një shumicë të cilësuar votash.
HelikopteriKryeministri Berisha ka pasur një tjetër incident ajror tri ditë më parë, kur u nis me helikopter drejt Prizrenit për të marrë pjesë në inaugurimin e autostradës së Kosovës që do të jetë vijimi i Durrës-Kukës. Burimet bëjnë të ditur se helikopteri me të cilin udhëtonte Kryeministri dhe stafi i tij i ngushtë, u detyrua të bënte një ulje të detyruar në Gjadër të Lezhës, pas një defekti teknik. Nisur nga kjo ulje, kreu i qeverisë e ka vijuar rrugën e tij drejt Prizrenit me makinë, për të mbërritur në orar në ceremoninë në të cilën merrte pjesë edhe homologu i tij kosovar, Hashim Thaçi.
#