E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tepelena në Belgjikë, Bejko në Abu Dhabi

Ambasadorët

Kanë kaluar në Komisionin Parlamentar për Politikë të jashtme dy kandidaturat e qeverisë për ambasadorë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe. Në mbledhjen e djeshme përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme, Gazmend Turdiu, prezantoi Ilir Tepelenën si kandidat për postin e ambasadorit të Mbretërisë së Belgjikës dhe Behar Bejkon në postin e ambasadorit të Emirateve të Bashkuara Arabe. Në prezantimin e Tepelenës, përfaqësuesi i MPJ vlerësoi përvojën e tij në përfaqësimin diplomatik të Shqipërisë në disa vende të ndryshme të Europës, si Romë, Madrid e Paris. Ndërsa në prezantimin e Bejkos, përfaqësuesi i MPJ vlerësoi eksperiencën dhe njohjen e mirë të tij me vendet e Lindjes së Mesme. Të dy kandidatët shpalosën objektivat dhe prioritetet e tyre mbi funksionin që do të ushtrojnë. Ilir Tepelena theksoi se forcimi i marrëdhënieve midis Brukselit dhe Tiranës zyrtare do të jetë në qendër të detyrës së tij. Në mënyrë të veçantë ai vuri theksin te rëndësia që ka forcimi i këtyre marrëdhënieve, si një impuls për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, pasi Belgjika pritet që në gjysmën e dytë të këtij viti të drejtojë presidencën e Bashkimit Europian. Tepelena theksoi se do të punohet fort që gjatë presidencës belge të BE-së, të ketë lajme të mira dhe pozitive për sa i përket vlerësimit që pret Shqipëria për statusin e vendit kandidat. Nënkryetari i delegacionit të Shqipërisë, Bosnjës, Malit të Zi e Kosovës në Parlamentin Europian, eurodeputeti slloven, Jelko Kacin, tha se përplasjet politike në Shqipëri po dërgonin mesazhin e gabuar në Bruksel se “liberalizimi i vizave nuk është përparësia kryesore” për udhëheqjen shqiptare.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›