Gjykatat, PD filtrim emrave të Topit
Mazhoranca do t’i kalojë në “sitë” 10 emrat e gjyqtarëve të rinj, të cilët Presidenti Bamir Topi pritet t’i depozitojë në Parlament, për të plotësuar vendet vakante të mbetura në Gjykatën Kushtetuese dhe atë të Lartë. Anëtari demokrat i Komisionit parlamentar të Ligjeve, Eduart Halimi, deklaroi dje në një prononcim për “Shqip” se përgjatë seancës dëgjimore, e cila pritet të mbahet në Komisionin e Ligjeve me kandidaturat e ardhura nga Presidenti për këto vende, mazhoranca do të tregojë kujdes të madh për të përzgjedhur ata të cilët plotësojnë jo vetëm kushtet ligjore. Kështu, sipas ish-zëvendësministrit të Drejtësisë, përfaqësuesit e mazhorancës në këtë komision, një rëndësi shumë të madhe do të tregojnë edhe ndaj të kaluarës profesionale të kandidaturave. Sipas tij, kandidaturat e ardhura nga Presidenca do të shqyrtohen mbi dy kritere bazë, atë të pastërtisë së figurës dhe atë të dinjitetit dhe aftësisë profesionale. “Do të kihet një vëmendje e madhe për ato kandidatura të cilat kanë punuar përpara viteve 1990, në mënyrë që të mos kenë qenë pjesë e vendimeve politike të dhëna përgjatë sistemit komunist”, deklaroi deputeti i PD-së, Eduart Halimi. Sipas pas tij, ndonëse Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar ligjin e lustracionit do të ishte e pafalshme që në institucione të një rëndësie të veçantë siç është vetë kjo gjykatë dhe ajo e Lartë, të përbëhej nga persona me precedentë të errët, për sa i përket të kaluarës nën sistemin komunist. Nga ana tjetër, Halimi theksoi se kandidaturat për këto gjykata duhet të plotësonin kriteret maksimale të profesionalizimit. “Në përzgjedhjen e kandidaturave do të shikohet edhe mbarimi i Magjistraturës, si një kërkesë e nevojshme në kushtet kur kjo shkollë është në funksionim të plotë”, theksoi Halimi, duke pasur parasysh anëtarët e Gjykatës së Lartë. Po kështu, Halimi theksoi se situata politike në vend nuk ndikon në kalimin e këtyre kandidaturave për miratim në Kuvend, pasi këta anëtarë zgjidhen me një shumicë të thjeshtë votash. Në këtë kuadër, Halimi thekson se pjesëmarrja e opozitës në Parlament, nuk është domosdoshmëri për kalimin e këtyre kandidaturave. Sipas deputetit të PD-së, edhe më parë ka ndodhur që emrat e kandidaturave për këto gjykata të jenë zgjedhur vetëm me votat e mazhorancës së radhës në Parlament. Burime nga Presidenca bëjnë të ditur se kandidaturat për Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese do të kalojnë në Parlament në fillimin e muajit Prill. Presidenti Topi nuk do të presë më kthimin e opozitës në Parlament për të çuar për votim emrat e gjyqtarëve të rinj. Aktualisht në Presidencë është mbyllur edhe afati i dorëzimit të dosjeve për kandidatët, të cilët pretendojnë të jenë pjesë e këtyre gjykatave me rëndësi të veçantë. Nga 70 dosjet e depozituara mes të cilave do të përzgjidhen vetëm 10, të cilat janë duke u shqyrtuar nga Presidenti i Republikës, nisur nga kriteret ligjore që duhet të plotësojnë. Në Gjykatën Kushtetuese pritet t’ju mbarojë mandati në muajin prill, anëtarëve Fehmi Abdiu, Kujtim Puto dhe Sokol Sadushi. Ndërsa anëtarëve Xhezair Zaganjori, Petrit Plloci dhe Admir Thanza pritet që mandati t’ju përfundojë në fillim të muajit maj. Po kështu, në Gjykatën e Lartë, prej disa muajsh mandati i gjyqtarit i ka përfunduar Spiro Spiros dhe Perikli Zaharasi. Aktualisht, kjo gjykatë po e vijon punën me 15 nga 17 anëtarë, dy nga të cilëve po kështu do t’ju përfundojë mandati në muajt prill dhe maj.
#